Takuan në qeli shefin e Rrugores/ SPAK merr në pyetje 4 zyrtarët e Policisë, u kalon në “sitë” telefonat
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka marrë dëshminë e katër zyrtarëve të Policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë.
News 24 raporton se; pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilave u verifikuan hyrje-daljet e zyrtarëve në Bllokun e Sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën për t’i marrë në pyetje lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre. Bëhet fjalë për një drejtor dhe tre shefa komisariatesh.
Ndërkohë mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin.
Prokuroria po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sa sekuestruar celularin e ish-deputetit të PD-së, biznesmenit Ndriçim Babasi.
Dyshohet se sipërmarrësi ka ndërmjetësuar dhe vendosur lidhjen mes Roven Zekës, si edhe biznesmenit tjetër që dyshohet se ofroi ryshfet që gruaja e tij, e përfshirë në aksident rrugor me 5 të plagosur, të mos arrestohej.
Kujtojmë se më 19 Prill, me urdhër të SPAK u arrestuan shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i aksidenteve Sokol Novaku, si dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Ata u vunë në pranga nën akuzën për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Tabaku, Zeka dhe Novaku, dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga shtetasja Anisa Vrioni është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.
Rasti u zbulua pasi bashkëshorti i Anisës, Ergest Vrioni është nën hetim dhe përgjim nga SPAK për korrupsion.
Nga përgjimet ka rezultuar se punonjës të Policisë Rrugore, i kanë kërkuar familjarëve të shoferes Anisa Vrioni, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
@NewsIn.Al

