TË LUFTOSH PËR PAQE – PARADOKSI QË NA SFIDON NDËRGJEGJEN
Pak pas mesnatës së 22 qershorit, avionët w goditën tre objekte bërthamore në Iran — një veprim që Presidenti Trump e përshkroi si “spektakolar” dhe “themelor për t’i hapur rrugën paqes” në Lindjen e Mesme. Kryqëzimi i fjalëve “bombë” dhe “paqë” tingëllon fort kontradiktor, por ja ku jemi: duke shpresuar të shuajmë flakët me… më shumë zjarr.  
Ky nuk është vetëm një debat moral; është edhe një çështje juridike. Teoria e “luftës parandaluese” , ideja se mund të sulmosh sot për të shmangur një luftë më të madhe nesër. Diplomatët mund ta lyejnë me buzëkuq termin “operacion parandalues”, por ligjet dhe normat e OKB-së flasin qartë: asnjë shtet s’ka të drejtë të përdorë forcën kundër integritetit territorial të tjetrit. 
Por përtej tekstit të traktateve, le t’u kthehemi pyetjeve njerëzore: Si ndërtohet besimi kur mbi kokë bien bunker-buster-a? Si hapen tavolina negociatash kur tryezat janë shembur nga shpërthimet? Historia na tregon se bombat prodhojnë më shumë armiq se aleatë, më shumë varre se ura dialogu. Paqja e qëndrueshme lind nga pikat e takimit, jo nga krateret.
Prandaj, le ta themi troç: të luftosh për paqe është si të thyesh pasqyrën për ta bërë dhomën të duket më e rregullt. Nëse vërtet duam t’i japim fund spirales së dhunës, duhet të investojmë më shumë në diplomaci sesa në armë, më shumë në drejtësi rajonale sesa në logjikën “shuplakë-parandaluese”.
Kjo nuk është thirrje naiviteti; është apel për realizëm afatgjatë. Paqe nuk do të thotë mungesë e përkohshme predhash, por prani e qëndrueshme besimi. Dhe ai besim nuk ngrihet mbi bunkere — ngrihet mbi fjalë të mbajtura, marrëveshje të respektuara dhe popuj që ndihen të përfaqësuar, jo të kërcënuar.
Erald Fejzulla
@NewsIn.Al

