KreuAktualitetiTë lutem Zonjë, m’i largo hidhërimet, … kllapitë, … SAFO

Të lutem Zonjë, m’i largo hidhërimet, … kllapitë, … SAFO

Të lutem Zonjë, m’i largo hidhërimet, … kllapitë, …
SAFO

Ti hyjni e përjetshme, ti fronpurpurt, Afërditë,
Ti bija rrjetgrackë e Perëndisë, më çliro, më zgjidh,
Të lutem Zonjë, m’і largo hidhërimet, brengat, kllapitë,
Në gji të trishtimit, mos më ler, mos më hidh.

Eja pra si dikur, më kujto, nuk besoj t’më kesh harruar,
Ti thirrjen time kur dëgjoje, ti m’vije në të zemrës fole,
Oh, më vije, më qëndroje, prej pallatit tënd duke flutruar,
Me të artën karrocë, ti notoje nëpër re.

Mbrehur mjelmash pendbukura, karroca jote me shpejtësi,
Sulej bujshëm në eterin qiellor, fuqiplot’ të dashurisë,
Krahëpërplasur mjelmat, vinin rreth dheut të errët, t’zi,
Mbrrinte karroc’ e kënaqësisë, lajmëtar’ i dashurisë.

Kur vije rrufe, ti perëndeshë e bekuar,
Ti fytyrë hyjnore, ti dhimbjelehtësuar,
Më pyesje për plagët që prapë, kisha marrë,
Ku isha lënduar, a isha dashuruar.

Ti kërkoje të dije, ç’gërryente thell’ shpirtin tim,
Andaj ti më pyesje për brengat, më theshe: “Kë do!”
“Që hyjnesha, për ty k’tu ta sjellë si rob, si shpëtim!”
“Kë do përsëri! Kë do! Mos nguro, më thuaj Safò!”

“Kush të ikën,” – më theshe – “tek ty prapë do t’kthehet,”
“Kokulur do t’të vijë, në gjirin tënd të futet, të qëndrojë,”
“Me dhurata do t’të mbushë, kush t’tuave dhurata, u fshihet,”
“Kush të desh, dhe po mos t’dojë, ty prap’do t’dashurojë!”

Oh, eja tani lëngesat m’і hiq, shpirtin tim lehtëso,
Shërimin më jep, perëndi këtë zemër e shpëto,
Merri ëndrrat, dhe si ëndrra m’i përmbush, më ndihmo,
E dua! Oh, Zot sa e dua, më ndihmo sepse s’më do!

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: I.V.B. “Safo – Eros glikόpikros” bot. 2019 fq.6, 25, 26
(Botimi i parë, 2008)

* * *
Safoja, (apo Safò, Sapfo, Psapfo, Psapfa) poetja divine, Muza e dhjetë, mrekullia e natyrës njerëzore, këngëtorja e ëmbëlsisë së hidhur, e trishtimit që loton pikë-pikë, e fjalëve që s’janë veçse frymë, frymë-shpirti, etj, etj, është një personalitet і kulturës mbarë botërore që tashmë është kthyer në trill, është poetja më e famshme që kaloi ndonjëherë mbi dhè.
Dashuria, pathosi, melankolia, erosi, joshja, trishtimi, ndarja, kujtimet, zilia, xhelozia, pikëllimi, ëmbëlsia, gjithçka lirike pra, që rrjedh prej mijëra vjetësh natyrshëm në jetën e përditshme të njeriut, prekën në mënyrën më të përsosur, më sublime, më të thjeshtë që mund të krijojë mëndja dhe shpirti njerëzor, në ato rreth 700 vargje safike të coptuara e të kafshuara prej kohës, (sіç shprehet Ovidi) që disponon sot për fat, kultura botërore.

* * *
Kjo poezi është një lutje apo hymn, drejtuar perëndeshës së dashurisë, Afërditës (Afroidhiti, për latinët, Venusit) për përmbushjen e një pasioni përvëlonjës të pa plotësuar. Dikur besohej se dashuria, ishte një forcë e cila nuk e njihte logjikën se ajo dërgohej tek njerëzit prej perëndive. Gëtja, duke përmbledhur gjithë pikëpamjet e lashtësisë për këtë çështje, konkludon në thënien: “Dashuria, nuk ka asnjë lidhje me logjikën.”
Kjo poezi, është ndofta e vetmja poezi e plotë e Safos që na ka arritur deri në ditët e sotme (po qe se edhe kjo është e plotë). Ajo jepet nga eruditi і lashtësisë, Dionisi і Alikarnasit si shëmbull і veçantë і një kompozimi plot bukuri, plot aromë poetike.
Perëndesha e dashurisë dhe e seksit, e kalonte gjithë ditën duke zbukuruar fytyrën, duke larë trupin dhe duke menduar vetëm për flërte e romanca dashurie, gjithë jeta e saj і ishte dedikuar dashurisë. Mbi dhé, kudo që dashurohej, ajo ishte e pranishme duke shkaktuar pasione, dëshira, gëzime, vuajtje, hidhërime, dufe seksuale, dhimbje shpirtërore, ekstaza të papërmbajtura, etj, … Ajo prehej mes reve puplore në malin e Olimpit dhe fluturonte në qiell, me një karrocë të artë plot shkëlqim, të tërhequr prej mjelmash të bardha, nga ku vëzhgonte gjithë dheun.
Venusi kish një fëmijë, një djalë, Erosin, і cili kish krahë të bardha dhe në dorë mbante gjithmonë një shigjetë, shigjetën e dashurisë e cila nuk gabonte kurrë. Ku godiste Erosi, lindte dashuria. Poezia në origjinal gjendet tek: Sapfous, Melon I, 1., tek: “Ta panta ton arhaion ellinon syggrafeon, 171. Epist. Etairia ton ellinikon grammaton, Papyros, Athina” ose tek Lobel, I, 1 app.

Ilustrimi: Venusi (fragment) Sandro Botticelli, 1485

Ilia. V Ballauri

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit