KreuAktualitetiThatësira në Danub ka zbuluar anijet gjermane të fundosura nga Lufta e...

Thatësira në Danub ka zbuluar anijet gjermane të fundosura nga Lufta e Dytë Botërore

Në Serbi, niveli i Danubit ra dhe u shfaqën luftanijet gjermane, të fundosura që në vitin 1944! Shkak, thatësira më e keqe në vite në Evropë.

Niveli në rënie i lumit Danub në Serbi në një nga nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në një shekull ka nxjerrë në dritë mbetjet e dhjetëra anijeve luftarake gjermane të fundosura gjatë Luftës së Dytë Botërore pranë qytetit të Prahovës.

Anijet, të mbushura me eksplozivë, ishin ndër qindra të mbytura në Danub në vitin 1944, ndërsa flota gjermane e Detit të Zi u tërhoq përballë forcave sovjetike që avanconin. Edhe sot e kësaj dite, anijet e mbytura ende pengojnë lundrimin në lumë kur niveli i ujit bie.

Thatësira e këtij viti, për të cilën shkencëtarët thonë se është pasojë e ngrohjes globale, ka nxjerrë në dritë më shumë se 20 skelete të këtyre anijeve në një pjesë të Danubit në Serbinë lindore. Disa nga këto anije përmbajnë tonelata municione dhe eksplozivë dhe konsiderohen si rrezik për lundrimin.

“Flotilla gjermane la pas një fatkeqësi ekologjike që na kërcënon ne, banorëve të Prahovës”, komentoi 74-vjeçari Velimir Trailovic, një banor në pension i qytetit, i cili ka shkruar një libër për anijet.

Punëtorët në industrinë vendase të peshkimit janë gjithashtu në rrezik.

Danubi po “thahet” për shkak të ndryshimeve klimatike

Thatësira mujore dhe temperaturat e larta po bëjnë që nivelet e lumenjve të ulen edhe në pjesë të tjera të Evropës, si në Gjermani, Itali dhe Francë. Në Serbi, autoritetet iu drejtuan gërmimit për të mbajtur korsitë e lundrimit të hapura në Danub

Në zonën e Prahovës, për shkak të anijeve luftarake të fundosura, pjesa e lundrueshme e Danubit është ulur në 100 metra, nga 180 që ishte më parë.

Në mars, qeveria serbe shpalli një tender për pastrimin e lumit dhe heqjen e municioneve dhe eksplozivëve. Kostoja llogaritet të arrijë në 29 milionë euro. (Newsit)

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit