Tirana Papers
Në historinë e gazetarisë ka raste të mëdha të nxjerrjes në shesh të informacioneve që kanë përbërë interes publik, që ose i kanë investiguar gazetarë heronj, ose ka pasur rjedhje informacioni nga establishmenti, ose ky informacion është botuar nga drejtues heronj mediash!
Kjo është e vërteta që çdo student i vitit të dytë gazetari e di, ose duhet ta dijë, në mos nuk e di, duhet ta mësojë! Por vitin e tretë nuk mund ta kalojë nëse nuk e di!
Ka Vietnam Papers, ka Watergate, ka Panama Papers, por ja paska edhe Tirana Papers, rasti më i turpshëm jo i rjedhjes të informacionit në media, se këtu nuk ka asgjë të keqe, por që uji i informacionit rrjedh si përrua, dhe media nuk e merr ta paraqesi për të qenë hidrocentral që të bëjë dritë, të ndriçojë.
Sepse e kanë kapur për fyti! Nuk është rrezim i shtetit, jo, se ka pasur shtete më të mëdhenj, u ka rjedhur informacioni sekret, dhe kanë ekzistuar si më parë!
Eshtë dështimi përfundimtar i besimit në drejtësinë sociale, është konfirmimi i korrupsionit kapilar, është mbretërimi i së paligjshmes në institucionet publike që duhet të jenë shembulli i respektimit të ligjit, dhe pastaj më e trishtueshmja, është, oh!, vdekja e gazetarisë, tredhja e medias, jo e gazetarisë investigative sepse për atë as është bërë fjalë ndonjëherë, por për atë që quhet thjesht gazetari, raportim i thjeshtë i lajmit!
Gjejeni tani kush vlen, media sociale që i boton, flet, i komenton, apo media profesionale që hesht? Ja nuk përgjigjem vetëm pyes!
Këto vdiqën! Kishin vdekur, por kriza e Tirana Papers, por jo rrjedhja e informacionit sikundër e trajtojnë krejt keq, mbrapsht, gabim, disa drejtues gjoja opozitarë, por fakti se çfarë tregojnë këto të dhëna, dëshmon se vdiqën të gjitha këto më sipër.
Prof.Artan Fuga

@NewsIn.Al

