TRAGJEDIA E OTRANTOS
Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997, nuk është një histori njerëzore që harrohet lehtë. Për t’iu larguar varfërisë ekstreme dhe tragjedisë së vitit 1997, me shpresën se do të bëheshin pjesë e botës ku punohet e jetohet normalisht, më 28 mars 1997 u nisën nga brigjet e Vlorës 115 persona, shumica familjarisht.

Të joshur prej trafikantëve që kishin rrëmbyer një anije “Kater i Radës”, siç quhej, ata nisën udhëtimin drejt Italisë, vendit ku shqiptarët kanë pasur “stacionin” më të afërt e të dëshiruar të emigrimit, pa e ditur se ai udhëtim, ajo shpresë do të ishin të fundit e jetës së tyre. Anija me të cilën udhëtonin 115 kërkues të jetës së qetë, u fundos pas një goditjeje katastrofike prej një anijeje italiane në ujërat e Otrantos! Kjo tragjedi e rëndë me 81 viktima të gjetura, ka ndodhur në vitin 1997! Për vite me radhë (1997-2011), familjarët zhvilluan një betejë të ashpër e këmbëngulëse me drejtësinë italiane, për të zbuluar motivin e sulmit të anijes italiane, urdhëruesit dhe autorët dhe për t’i ndëshkuar ata për këtë tragjedi të rëndë ndaj 115 njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur.
Por gjyqet u zvarritën, gjersa përfunduan në një farsë me 2 dënime të nivelit të hajdutëve të cigareve në super-markete. Ajo që ka mbetur nga tragjedia, është anija shqiptare “Kater i Radës’ i kthyer si relike në Brindizi, pllaka përkujtimore me emrat e atyre që humbën jetën, kujtesa dhe lotët e familjarëve, që bëjnë homazhe çdo 28 mars, duke hedhur lule në det, në kujtim të tyre! Ishte një tragjedi që nuk duhej të bëhej nga ata që e bënë. Nuk kishte asnjë motiv, ndërkohë që anija shqiptare “Kateri i Radës” me 115 persona në bord kishte hyrë në ujërat italiane, ishte anija luftarake italiane “Sibilla”, ajo që e goditi tragjikisht, duke shkaktuar 81 viktima, mes të cilëve 46 gra e fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. U deshën 6 muaj pas ngjarjes, që anija “Kater i Radës” të nxirrej nga fundi i detit bashkë me një pjesë të trupave të viktimave. Në lidhje me tragjedinë e Otrantos, drejtësia bëri objekt të gjykimit si fajtorë, kapitenin e anijes italiane “Sibilla”, Fabrizio Laudadio dhe kapitenin e anijes shqiptare “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri. Me këtë ngjarje Shqipëria e përfshirë në kaosin popullor prej piramidave, përjetoi ngjarjen më të rëndë të emigracionit klandestin, ndërkohë që tragjedia e 81 viktimave të 28 marsit 1997 është kthyer në homazhe, kujtime, lule e dhimbje të familjarëve të tyre.
#Fotografite që kanë bërë historinë
