Tregu i zi lulëzon…
Biletat Shqipëri-Çeki zhduken në sekonda
Interesi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm pasi një fitore do ta siguronte kualifikimin në Kampionatin Europian dhe kjo duket se ka krijuar vështirësi në gjetjen e një biletë edhe pse stadiumi ka 22 mijë vende. 
Pikërisht këtë entuziazëm e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të shëmtuar një grup batakçinjsh që brenda 2 orësh nga njoftimi i FSHF se nisi shitja për biletat e ndeshjes me Republikën Çeke, i kanë blerë të gjitha ato. Përjashto kuotat për Tifozët Kuqezinj dhe ndonjë ftesë që FSHF bën apo shpërndan falas, bëhet fjalë për rreth 20 mijë bileta të tjera që sa zbardhi mëngjesi i së shtunës kanë dalë në treg të zi me minimalisht trefishin e çmimit. Ky çmim pritet të rritet sa më shumë që afron 12 tetori i ndeshjes Shqipëri – Republika Çeke në “Air Albania”.
Të gjithë jemi dëshmitarë këtë të shtunë sesi në grupet në Telegram e Whatsapp po shitet minimum 300 euro një biletë.
Ndaj duhet menduar, mos vallë biletat duhen shitur fjala bie përmes e-Albania, apo sporteleve fizike? Mos ndoshta FSHF duhet të shohë sistemin dhe ta padisë në Prokurori atë që ka blerë 100 bileta dhe ka vetëm një bythë për të ulur ne stol? Për aq kohë sa tregu i zi është i dënueshëm, përgjegjësia e organizatorëve është e pashmangshme.
Dhe nëse kjo situatë nuk ka një qendrim zyrtar nga Federata, e humbura më e madhe do të dalë ajo vetë me një stadium gjysmë-bosh apo ku gjysma e tifozëve janë turinjvarur për çmimin e kripur që kanë paguar.


Sepse nëse heshtet sikur s’ka ndodhur asgjë, Kombëtarja sërish do të fitojë, por Federata do të mbetet me turp!
Sa do kushtojë bileta një ditë para ndedhjes?
@NewsIn.Al

