NJË HAP TJETËR DREJT FORCIMIT TË HAPJES AKADEMIKE DHE BASHKËPUNIMEVE NDËRBALLKANIKE U SHËNUA PËR UNIKO, I CILI ME FTËSË TË UNIVERSITETIT TË MAQEDONISË PERËNDIMORE MORI PJESË NË TAKIMIN E ORGANIZUAR NË KAMPUSIN UNIVERSITAR TË ZEP, KOZAN
Universiteti “Fan S. Noli” mori pjesë në takimin e organizuar nga Universiteti i Maqedonisë Perëndimore në kampusin universitar të ZEP në Kozan, me synim krijimin e një rrjeti dinamik bashkëpunimi me universitete të tjera të rajonit të Ballkant.
Universiteti i Maqedonisë Perëndimore u prezantua në këtë takim me zëvendësrektoren përgjegjëse për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Hapjen Akademike dhe Kujdesin Holistik, prof. Eleni Griva; zëvendësrektoren për Çështjet Administrative dhe Ekonomike, prof. Malamati Louta; drejtuesen e departamentit të Psikologjisë, prof. asoc. Stella Gkiaouri; drejtorin e Qendrës për Edukim të Vazhdueshëm (KEDIVIM), lektor Menelaos Tzifopoulos, pedagog në departamentin e Mësuesisë për Arsimin Fillor, si dhe studiues të tjerë të këtij universiteti.
Universiteti “Fan S. Noli” u përfaqësua nga zëvendësrektorja për kërkimin dhe shkencën, dr. Aida Mosko, dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi, pedagogia e departamentit të Shkencave Sociale dhe anëtare e SA, prof. as. dr. Magdalini Vampa, si dhe pedagogu, phd. Jordan Jorgji.
Gjatë takimit u prezantua veprimtaria shkencore e të dy institucioneve, duke u shoqëruar me shkëmbime mendimesh dhe idesh inovative mbi mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm.
Diskutimet u fokusuan në fusha me rëndësi, si: tranzicioni i gjelbër, arsimi gjithëpërfshirës, programet e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Vëmendje e veçantë i`u kushtua perspektivave të bashkëpunimit në shkencat humane dhe shoqërore, zhvillimit të veprimtarive të përbashkëta akademike dhe kërkimore, si dhe krijimit të programeve të përbashkëta të studimit.

@NewsIn.Al
