HomeAktualitetiVrasja e Eglant Koçit, çfarë filmuan kamerat

Vrasja e Eglant Koçit, çfarë filmuan kamerat

Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për vrasjen e Eglant Koçit në Tiranë, ndërsa në fokusin e grupit hetimor janë vendosur dëshmitë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe lëvizjet e personave që dyshohet se kanë pasur dijeni mbi fatin e të riut.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, pista e ndjekur nga autoritetet lidhet edhe me aktivitetin e viktimës në fushën e kriptomonedhave dhe transfertave të lidhura me call center-at.

Një prej elementëve të verifikuar nga hetuesit ka qenë edhe një subjekt “Exchange” pranë zonës së Laprakës. Pas denoncimit për zhdukjen e Eglantit, familjari i tij u ka treguar autoriteteve se i riu kryente konvertime të kriptomonedhave në këtë subjekt.

Por administratori i biznesit ka deklaruar se Koçi nuk ishte paraqitur aty prej më shumë se një muaji.

Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe Armand Shakaj, i cili, sipas dosjes, ka deklaruar se kishte takuar Eglant Koçin më 3 qershor.

Shakaj ka pretenduar se i riu ishte i shqetësuar për çështje që lidheshin me paratë e kriptomonedhave dhe aktivitetin e call center-ave.

Në dëshminë e tij, ai ka përmendur edhe pretendimin se një prej personave që kishte në administrim portofolin dixhital ishte arrestuar në Dubai, ndërsa një tjetër kishte humbur para përmes lojërave të fatit online.

Megjithatë, ky version nuk rezulton të ketë bindur hetuesit. Sipas materialeve të bëra publike, pas marrjes në pyetje Shakaj nuk është më gjendur lehtësisht nga policia, ndërsa hetimi ka vijuar përmes verifikimit të kamerave dhe dëshmive të tjera.

Një tjetër element i rëndësishëm në dosje janë pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas hetimit, Eglant Koçi është parë më 4 qershor duke udhëtuar me motor dhe duke shkuar drejt biznesit të një personi të njohur të tij.

Rreth 40 minuta pas hyrjes së viktimës në ambientet e biznesit, kamerat kanë regjistruar largimin e një personi të veshur me të zeza, i cili përdori motorin e Eglant Koçit.

Këto pamje, të kombinuara me dëshmi të tjera, janë përdorur nga grupi hetimor për të rindërtuar lëvizjet e fundit të të riut dhe për të verifikuar personat me të cilët ai pati kontakt para se të zhdukej.

Sipas dosjes, mbrëmjen e 5 qershorit, rreth orës 23:30, kamerat kanë regjistruar Shakajn duke nxjerrë nga ambienti një qese të madhe, përmasat dhe forma e së cilës, sipas hetuesve, ngjanin me një trup njeriu. Qesja është larguar më pas me automjet.

Pas disa ditësh kërkimesh, autoritetet kanë gjetur trupin e viktimës. Ekzaminimet ADN kanë konfirmuar se bëhej fjalë për Eglant Koçin. Në dosjen hetimore është përfshirë edhe dëshmia e dy punonjësve të një lavazhi.

Sipas tyre, Shakaj u kishte thënë në lidhje me një automjet Porsche: “Do vij ta marr, vetëm lajeni mirë.”

Punonjësit kanë deklaruar gjithashtu se gjatë pastrimit vunë re një njollë të kuqe në pjesën e tapetit të automjetit, pas sediljes së shoferit, e cila në pamje të parë u ishte dukur si gjak.

Në kuadër të çështjes vijon të mbahet në burg edhe 25-vjeçari Ena Zyferi. Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, Zyferi, i cili punonte si kamarier dhe ishte student infermierie, dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit duke fikur kamerat.

 

@NewsIn.Al

NewsIn Al
NewsIn Alhttps://newsin.al
NewsIn Al është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments