Klaudia, Ifgjenia, Erieta, Ionisi, Denisi dhe Pavli!
Po filmoja në katedralja, dhjetëra qytetarë po ndiznin qirinj. Shkuan dhe në konsullata. Prita të largoheshin të gjithë dhe shkova te ndizja një qiri, por harrova qiririn nga nxitimi.
Po i shihja ato qirinjtë, lulet, buqetat në shkallët e konsullatës dhe po mendohesha. Me erdhi në mendje djali i Pavlit, që e takova në vendin e ngjarjes.
Pasi mbaruan gazetarët grek duke i’u lutur për intervista, por askujt nuk i foli, i’u afrova dhe i fola direkt në shqip.
“Nuk dua intervistë, erdha të të pyes si je”
“Edhe ti gazetar je?”
“Po, por erdha te të ngushëlloj si shqiptar, jo gazetar. Unë se di historinë tënde, se as greqisht nuk kuptoj. Po me tregonin gazetarët grek që ke humbur babain në tren”
“Babi im kishte 10 vite që punonte në treni, në sektorin e përpunimit të ushqimit. Na rriti mirë. Punonte shumë. Na siguroi gjithçka. Para ca ditesh pashe dhe ëndërr në një aksident, ja tregova e babit e u mërzit. Se e ngas shpejt makinën unë. Nuk ika unë, por babi”
Po rrija pa folur. Herë shihja atë e herë trenin. Nuk kishte shanc të shpëtonte njeri ne vagonin e parë
“Vëlla, nuk di ç’të të them. Në këto raste, fjalët janë pakuptim. Të rroni e ta kujtoni babin, dhe bëje krenar. Fundja, do të të shohë nga larg”
Po më shihte në sy dhe sikur u prek më tepër.
Ika. Ama mendjen aty e lashë. Deri sa takova familjarët e Klaudjas në policia e Larises.
Prisnin konfirmimin e ADN të një kufome. Takova xhaxhin e saj, që ishte fytyrë e njohur për mua, por nuk e mbaja mend ku e kisha parë.
“Po ju, shqiptarë?”
“Po. Shqiptarë. Që mos qofshim. S’na kthen njeri përgjigje. Po budallenj e ne. Kot presim. E dimë që na iku çupa. Në lule të rinisë.”
“A mund të bëj një intervistë me ju?”
“Në fund, do na kthesh cupën?”
Më pa me inat. Ula kokën. Si mund t’i kërkoje intervistë dikujt që kishte humbur mbesën dhe ende s’ja kishin gjetur trupin. As kockat. Ika, kur pashë që po vinin e të tjerë shqiptarë. Gjithë soji i saj ishte mbledhur.
U riktheva në vendngjarje, më dha një gazetare greke 50 e ca vjeçare një cigare dhe në anglisht më thotë ;
“Djemtë vdiqën, e lanë nënat pa zë. Vajzat humbën, e bukuria humbi në familjet e tyre. Prindërit nuk duan të jetojnë më. Nuk i mori Zoti, i mori dora e njeriut. Maskarai. E kishte bërë gabimin para një ore me tren tjetër, po s’ma beson njeri. E kam burim te sigurtë”
I doli fjala pas dy ditësh. Ngjarje që nuk do e harroj

Xhensil Shkëmbi, Greqi mars 2023
@NewsIn.Al

