29 Shtatori_ Dita e trashëgimisë kulturore
Asgjë nuk është e krahasueshme me të kuqen e tij.
Malësia tipike e Shpatit. Ky toponim kumbues dhe metaforik lidhet me shpatat e luftëtarëve të lirisë, pra, është toponim i luftës dhe i qëndresës, i heroizmit, i legjendës dhe i vazhdimësisë. Në shekuj Shpati ka qenë vatër e lirisë. Kjo krahinë është krenare gjithashtu sepse është “muzeu” ku ruhet gati pjesa më e madhe e afreskeve të famshme të Onufrit, të piktorit shqiptar, një figurë e madhe e artit dhe e kulturës sonë kombëtare. Onufri ka pikturuar dy monumente: bazilikën e Shelcanit e atë të Valshit. Janë afro 200 m² afreske me piktura të gjalla, ku janë fiksuar me ngjyra të veçanta tiparet e shpatarakëve, që kanë qenë modeli i artit të tij. Piktori pasi ka mbaruar tërë punën, ka menduar të shënojë emrin, identitetin e tij: Onufri, piktor i Neokastrës, (d.m.th. i Elbasanit). Ky autograf është, si të thuash, “pasaporta” me të cilën ai do të paraqiste vetveten.
Në qershor 1979 udhëtoja drejt Shelcanit sipër një kamioni, i cili do të ngarkonte trupa pishash në Gjinar. Me mua ishin një nga mësuesit e fshatit Gjinar si dhe një gazetar. Kamioni ngjitej me zhurmë nëpër rrugën malore, e cila vinte e rrotulluar. Poshtë në fushë përvijohej qyteti i Elbasanit dhe kombinati metalurgjik. Ishte një ditë e kthjellët. Rruga çante përmes arash e sipër kodrave të Shpatit. Ç’peizazh i mrekullueshëm! Duke e ndier me të tëra shqisat lëvizjen nëpër këtë mugë malore, vetvetiu të shkonte mendja tek ai udhëtim me kalë apo me mushkë i piktor Onufrit dhe ndihmësve të tij (një prej të cilëve ka qenë edhe i biri, Nikolla që më vonë u bë vetë piktor i shquar), ndonjë mëngjes para katër shekujve, për të shkuar e për të pikturuar në valësh, në këtë fshat kaq të thellë. Ka ecur Onufri kaluar, ose në këmbë, ka parë shkëmbinjtë e ka ndierë t’i rrihte zemra para peizazheve tipike shqiptare me shkëmbinj të thepisur që ai i ka pikturuar plot frymëzim. Anash rrugës është fshati i Shelcanit. Këtu është monumenti ku kanë pikturuar, Onufri e grupi artistik i ndihmësve të tij. Ndalojmë dhe Vizitojmë monumentin. Pikturat murale të Onufrit mbajnë vulën e kohës. Bota artistike e Onufrit ka të pasqyruar epokat (epokën paraturke e atë të pushtimit të rëndë osman). Nisemi përsëri për udhë. Arrijmë në Gjinar, zbresim e nisemi në këmbë drejt Valshit. Rrugës na shoqëron Prenga një nxënës shkolle. Kalojmë përroin e Fangut e i ngjitemi malit të Valshit, i cili ka në majë, si kurorë, një qytezë me mure ilire. Në brinjë të malit ka dafinë. Prenga këput një gjethe dafine e fut në gojë e nis t’i fryjë një melodie. Ai na tregon legjenden këtyre kaçubave prej dafine. “Pleqtë tregojnë se, kur po vinte turku në Valsh, një vajzë shpatarake dha alarmin që nga maja e malit. Osmanët u sulën ta kapnin, por ajo u hodh nga mali e atje ku ra, mbiu dafina. Në tërë Shpatin s’ka dafinë, por te ky vend ajo ka gjelbërim të përjetshëm”. Prenga i fryu sërish gjethes së dafinës e ne na u duk se dëgjuam zërin e legjendës. Ja dhe bazilika e vogël e Valshit. Teper e thjeshtë dhe tepër e vogël, si një shtëpi e zakonshme fshati, me një hajat druri, mbuluar nga sipër me rrasa guri. Fshatari që kujdesej per ruajtjen e monumentit, na hapi derën. Katër faqet e brendshme ishin plot afreske me ngjyra të forta, skena të kompozuara e portrete. E kupton menjëherë forcën e artit të Onufrit, mënyrën e tij të veçantë të pikturimit, të renë e tij. Shkuam tek shkolla e Valshit. Takuam mësuesit e fëmijët. Kishte shumë fëmijë me flokë të verdhë e sy të kaltër. Fëmijë të mirë e të bukur. Në përgjithësi shpatarakët janë të bukur. Te tille kanë qenë paraardhësit e tyre edhe në pikturat e Onufrit. Nxënësit e Valshit ishin të pasionuar pas mbledhjes së folklorit. Shfletojmë fletoret e tyre. Fëmijët kishin mbathur opinga e çorape të qëndisun me motive interesante. Vërejtëm me habi se këto motive ishin edhe në ornamentet e Onufrit. Në Gjinar u kthyem së bashku me disa vajza e djem nga Valshi, të veshur me kostumet e zonës. Pasdite ata do jepnin shfaqje artistike me rastin e mbajtjes së një seminari kombetar organizuar nga Ndërmarrja e Filmit dhe e Librit. Vajzat e djemtë lëviznin plot gjallëri e këndonin. Ende pa filluar programi të dukej sikur ishe në një shfaqje artistike, ku “dekor” ishte mjedisi malor, me drurët e moçëm dhe me dafinat e malit të Valshit. Sheshi para muzeut në Gjinar, ishte mbushur plot. Seminaristët po vizitonin muzeun e vogël, po mjaft interesant. U futëm edhe në muze. Thjesht, po qartë, muzeu ekspozonte kronikën shekullore të Shpatit. Historia fliste me gjuhën e objekteve të lashta arkeologjike. Objekte të tjera theksonin veçoritë origjinale të thesarit etnografik të Shpatit (kjo krahinë është me rëndësi në atlasin etnografik të atdheut). Muzeu paraqiste veçanërisht luftën e shpatarakëve për liri. Vazhdon fq. 116
•Moikom Zeqo ~ •♥︎•
Foto: “Muzeu” ku ruhen afreskët e famshme të Onufrit. Shelcan, fshati Valsh, Elbasan.
Muzeu i Artit Mesjetar Korçë
Irsa Shore_ Në Korçën tonë
@NewsIn.Al