Sot u shua njëri prej lirikëve tanë më të mirë, një penë ekselente që jetoi mes nesh pa bujë por që shkëlqeu aq fort, Petrit Ruka.
Në fakt sot do të ndizet galaktika poetike e Tij… Kështu ndodh gjithnjë me të mëdhenjtë… Sa janë gjallë nuk e vëmë re madhështinë e tyre. A nuk ndodhi kështu edhe me Frederik Rreshpjen?!
E shenjtë humnera ku ke rënë,
Në ikjen tënde me nxitim,
Përdhe është Molla që ke ngrënë,
E fundmja Evë e qiellit tim.
Si foshnjë, ndër teka dëshpërimi,
Ia hipën Fatit si një kali,
Pa ditur se si vetëmashtrimi
Te thyhet si servis kristali…
Kur bor’ e parë s’të ish shkrirë,
Në cërr të dimrave të tu,
Ti shkele shpirtit tim të lirë,
Ku ish tërfili gjer në gju.
Ti ndenje aq sa ç’rri një bletë,
Për pak aromë e pak nektar,
Se trillet s’presin kurrë biletë,
Se s’kanë atdhe e s’kanë orar….
Dhe pa e ditur ç’është një dhimbje,
The: minus një, si tek një lojë,
Ti kur e dije, pse më linde,
Të vdekur, me monedhe në gojë?
Ti kur e di që lind aborte,
Mos “fli” me burra të vërtetë,
Se këtë brengë si ikja jote-
S’ma tret as varri im i shkretë.
Dhe teksa ikën nëpër mjergull
Në zinë e dashurisë me kujë,
Tek mbillem lis e mbij si pjergull
Ti bëhesh Hënë e ndrin nën ujë.
Dhe falur qofsh përse nuk dite,
Si bëhet Fé një dashuri,
Tek bie në flakën që më ngrite
Unë hirin tim e bëj flori.
Dhe ja, tani tek Varr – i – Krishtit,
Të fundmen Lutje bëj për ty,
Si unë të dashuroftë një tjetër
Dhe kurrë mos u bëfshin dy…
Në Mur të Lotëve biblikë
Të mbledhur shuk në një copë letër,
Kjo këngë vajtimi, shkruar shqip
Mos e pastë një shoqe tjetër.
Dhe lamtumirë tek të them,
Maria Magdalena ime,
Të vdesësh në Jeruzalem…
Të paktën vdekja është sublime
Nga GJERGJ ZEFI

