Kur partia të vinte vizën
Më 24 mars 1982 zëvendësiministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ndodhej në shtëpi. Kishte marrë një të ftohur dhe ruhej mos i thellohej kjo. Befas i vjen një telefonatë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Njeriu që i kishte zënë vendin para dy muajsh, ministri H.Isai, e merr në telefon:
Hekuran Isai: Hë mo, shoku Feçor, si u bëre?
Feçor Shehu: Mirë, shoku ministër, ja edhe pak besoj do dal në punë.
Hekuran Isai: Epo kujdes shëndetin shoku Feçor, piji rregullisht ilaçet. Hajde të shkuara!
Feçor Shehu: Faleminderit shoku ministër.
Hekuran Isai: Ore, a e di pse të mora?
Feçor Shehu: Urdhëro, shoku ministër.
Hekuran Isai: A vjen sot në ministri se kemi një mbledhje nja 5 minuta me zëvendësministrat e drejtorët.
Feçor Shehu: Patjetër, shoku ministër.
Hekuran Isai: Atëherë, shihemi në mbledhje. Hajt mirupafshim.
Feçor Shehu: Mirupafshim.
Kësisoj Feçor Shehu mbajti shënimet e duhura dhe u nis në “mbledhje” drejt ministrisë, për herë të fundit si zëvendësministër. U fut në “mbledhje”, por ministripo e shihte me urrejtje e tërbim të madh. Në sy të të gjithë drejtuesve të lartë të MPB-së i deklaroi arrestimin “në emër të popullit”. Drejtorët e MPB-së iu hodhën sipër e i vunë prangat. Feçor Shehu u nis drejt burgut nr.313, vendit ku kishte çuar sa e sa njerëz të pafajshëm. Këtë herë jo si oficer drejtues i MPB-së, por si i pandehur dhe armik i partisë.


