KreuKulturë / ArtA duhet të kemi frikë nga numrat e vegjël /Kasëm Saliasi

A duhet të kemi frikë nga numrat e vegjël /Kasëm Saliasi

A duhet të kemi frikë nga numrat e vegjël

Kasëm Saliasi

Kur flasim për globalizimin, gjithmonë duhet të kemi parasysh dy lloje shtetesh; ka shtete vertebrorë dhe qelizorë. Shtetet vertebrorë janë shtetet – kombe, kurse shtetet qelizorë janë ato shtete që përbëhen nga disa kombe, shtete të mëdha me interesa ndërkombëtare ekonomike, ushtarake dhe kulturore. Paraqitja e globalizmit si një gogol për shtetet – kombe ka disa dekada që përflitet. Argumentet janë të shumanshme. Qarkullimi i madh i kapitalit në përmasa që shpeshherë e kalon kufirin e kapacitetit të shteteve-kombe dhe në këtë vazhdë ka ardhur si një domosdoshmëri krijimi i organizmave ndërkombëtarë për huadhënien e huamarrjen sikurse është FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar), Banga Botërore etj. Këto lloje organizmash, shumë filozof e sociologë i quajnë si institucione të një shteti ndërkombëtar të së ardhmes.
Kontraditat dhe debatet janë tek fakti se shpeshherë kur organizmat globalë kanë kooperuar me shtetet-kombe, drejtuesve të këtyre shteteve ju është dukur gjithmonë se organizmat globalë ju japin hapësirë më shumë se hapësira reale pakicave kombëtare. Pakicat kombëtare që dikurë paraqiteshin si ura komunikimi në shumë vende tanimë janë kthyer në ura të zemërimit dhe moskuptimit. Për shembull në ish Republikat Jugosllave, në Ruanda, Sudan, Kongo dhe jo vetëm në shtete të vegjël e shpesh të padëgjuara por edhe në ato që kanë zotëruar botën si Mbretëria e Bashkuar (rasti i Irlandës së Veriut).
Të mos harrojmë edhe mësimin e madh të Luftës së Dytë Botërore ku edhe Hitleri e filloi luftën pasi mbronte pakicat Gjermane në Francë, Çeki, Poloni etj. Ky makth ndaj pakicave kombëtare sot është mbiquajtur ”Frikë ndaj numrave të vegjël”. Ky është një nga resurset pozitive dhe negative të shtetit – komb.
Ndërsa shteti qelizor në bazë të së cilit është teoria e pragmatizmit, në ecjen e vetë përpara, në suksese të shumta financiare e në fetishizimin e parasë, ka hasur në pengesën e vetë shpeshherë jo të vogël: Shteti qelizor kthehet shpeshherë në një varg të pafundëm proçedurash, administrative, juridike e proçeduriale. Në këtë vazhdë humbet njeriu, humbasin interesat e tij materiale, shpirtërore e shoqëria kthehet dalëngadalë në një fortesë të korparatave ku çelësin e kanë bankierët më të mëdhenj e më të fuqishëm. Fuqizimi i industrisë televizive, i ka shërbyer më së miri këtij funksionimi të shtetit qelizor, të proçedurave të pafund administrative e juridike. Krijimi i dy lloje shoqërive; shoqërisë reale dhe asaj virtuale, e bën botën sa të pakapshme aq edhe të rrëshqitshme.
Jo rastësisht mjaftë intelektualë dhe mendimtarë të mëdhenj, të shteteve – kombe si; Markes, Neruda, Nikolla Gilen, Fransua Nuresie, Borhes e kanë parë si një dukuri negative këtë shndrrim të shtetit si një zinxhir të pafund administrativë, me logjikë të ftohtë e të pakontrollueshme. Një shikim gjenial të këtij lloji sistemi e ka paraqitur Franc Kafka në veprimtarinë e tij sidomos në kryeveprat ”Proçesi”, ”Metamorfoza” dhe në tregimin e shkurtër por brilant ”Para Ligjit”. Gjithkush që e ka lexuar këtë tregim të shkurtër por të çuditshëm i ka mbetur në mendje ajo figura e një njeriu të vogël, hallexhi i cili shkon në dyertë e ligjit fare i ri, pret për t’u gjykuar e marrë të drejtën. Pret me vite e dekada e më në fund dikush del e i thotë: “Gjyqi është lënë për shekullin tjetër”
Hiperbolizimi dhe simbolizimi kanë bërë të vetën por gjithsesi figura e njeriut të vogël para ligjit është një domethënie e bazës ekzistenciale të globalizimit sipas Franc Kafkës.
Duke parë të gjitha këto shtrojmë pyetjen; Vërtet duhet të kemi frikë nga numrat e vegjël. Gëte tek “Fausti” thoshte: ”Djalli fle tek proçedurat”, duke bërë përshkrimin e jetës së kalorësit Fon Berlingen (Gëci i Berlingenit), Gëte e vë heroin e tij pikërisht përpara drejtësisë. Duke marrë shembullin e madh të një shkrimtari më të hershëm gjerman Klajst me novelën e tij të madhe Mihail Kohlazi, të dy heronjtë kanë të drejtë, janë të fuqishëm dhe kërkojnë deri në shkatërrim të drejtën e tyre por që të dy shkatërrohen para sistemit burokratik ligjor.
Gëte tek Gëci parashtron idetë: A na duhen sisteme të tilla që mposhtin e vrasin personalitete dhe që e kthejnë njerëzimin në një masë të pafundme gurësh të vegjël apo kokrriza rëre. Po në të vërtetë, a duhet të kemi frikë nga numrat e vegjël… Ky është fundi ynë.

. . .Përgjigja e oshëtimës së pyetjeve se përse popujt në përgjithësi e popujt e vegjël në veçanti kanë frikë ndaj pakicave, ndaj atyre identiteteve të rrëshqitshme të cilat në fund të fundit sot rrezikojnë t’i kthejnë të gjitha identitetet në identitete të cunguara. Gjetja e një armiku të përbashkët nga shtetet qelizorë dhe kërkimi i kauzave të mëdha të përbashkëta ku bëhet thirrje që në luftë kundër armikut të përbashkët, të padukshëm secili shtet të gjejë mundësitë për t’u gjetur në anën e fitimtarit.
Nxitimi për tu gjendur në anën e fitimtarit i cili shpeshherë diktohet nga mekanizma ekonomikë sesa ideologjikë, shpeshherë ka sjellë si pasojë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe humbjen e parametrave moralë dhe etik e cila në fund të fundit nuk bën gjë tjetër vetëm se nxit gjeografinë e dhunës.
Nuk është rastësor fakti se roli i dhunës ka krijuar në vetvete një reaksion zinxhir, ku dhuna nxit dhunën dhe shkelja e të drejtave të njeriut shkakton shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Shumë mendimtarë politik e sociolog mendojnë se në skenë ka ardhur teoria Maltusiane, ku theksohet fakti se burimet njerëzorë, materiale e shpirtërore janë pakësuar ndërsa numri i popullsisë botërore është rritur në mënyrë të pakontrolluar. Pyetja prej tyre shpeshherë shtrohet: mos vallë rezultantja e gjithë kësaj lufte kundër forcave të së keqes, kundër terrorizmit dhe kauzave të tjera është në vetvete një luftë për të zënë burimet energjitike, hidrike dhe hapësira të tjera jetësore.
Faktii është se tani dhe përfaqësuesit më demoniak të së keqes flasin për të drejtat e njeriut për mbrojtjen e pakicave dhe e kanë bërë të vetën retorikën e demokracisë, ku është bërë me të vërtetë e frikshme. Shembujt e shumtë nga historia flasin se makinat më të mëdhaja propagandistike ushtarake dhe politike, kërkojnë zgjidhje globale përfundimtare.
Rasti më i madh eksperimental i historisë paraqitet me nazizmin. A nuk ishin paradat e mëdha naziste që i bënin thirrje popullit ”Arjan” gjerman se ishte një minoritet Hebreit të cilët kërkonin të njollosnin e të prishnin racën gjermane, edhe jo vetëm në Gjermani por në botë. Atë që Hitleri e kishte shprehur në mënyrë të turbullt, me gjuhën e apokalipsit tek libri i tij programatik ”Lufta ime”, Gebbelsi e shtroi në aksioma të propagandës së tij për këngët e luftës, për filmat ushtarak e dokumentar dhe për ”marshimet e natës me pishtar”, zgjidhja duhet të ishte përfundimtare: racës Hebrej në fillim i duhej marrë forca ekonomike, i duhej hequr baza humane, i duhej vënë gishti i kombit tek ajo (hedhja kundër e opinionit publik), si një e keqe e madhe dhe urrejtja popullore duhej derdhur mbi të.
Kjo aksiomë e madhe propagandistike e politike funksionoj. Ishin jo vetëm njerëzit e rrugës që e përkrahën Hitlerin e Gebes por me qindra shkrimtarë, poet, piktorë, sociolog e historianë. Shkatërrimi i dyqaneve të hebrenjve, mosfrekuentimi i bizneseve të tyre, kryqëzatat kundër bankave hebreje, sulmet e qindsheve të zeza kundër militantëve hebrenj, u shoqëruan me botime librash, me premiera filmash dhe me hite këngësh.
Të gjitha këto ishin parathënia e kampeve të përqëndrimit dhe e dhomave të tmerrshme të gazit, ku humbën jetën miliona e miliona hebrenj. Ishte një zë që u ngrit kundër kësaj të keqeje globale, shkrimtari, mjeshtri i teatrit dhe kritiku Bertolt Breht. Drama e tij ”Arturo Ui”, ka bërë dhe bën xhiron e botës. Komedia e tij ”Frikë dhe tmerr në Rajhun e Tretë”, ka bërë dhe bën xhiron e botës. Poemat e tij ”Kryqëzatë Fëmijësh”, ”Kënga e një nëne Gjermane”, ”Çmori gruaja e Ushtarit” etj, janë sot të përkthyera në të gjitha gjuhët e botës.
Bertolt Breht e vuri gishtin tek esenca e të keqes globale naziste se; – barku që polli këtë murtajë ende nuk është shterpëzuar, se bojaxhiu Hitler kërkonte të nxinte me bojë të zezë jo vetëm Gjermaninë por gjithë botën, se kur topat bjenë mizat nuk duhet të heshtin, se kur Gebels thotë se po përgatitet për paqen ai në fakt përgatit luftën, se kur idioti Hitler flet për lumturinë, çmimet ngrihen dhe kartmonedha kombëtare kthehet në letër. Se gruaja e ushtarit mori shumë dhurata nga Praga, Parisi, Varrshava etj, por në fund fare mori një arkivol ushtari, se një kryqëzatë fëmijësh pa prindër e pa strehë pushtoi rrugët e Europës e se Gjermania ishte kthyer në një grua shtrigë që i tmerronte dhe e përbuznin të gjithë popujt.
Gebelsi e shpalli Bertolt Breht armik të popullit, librat e tij u dogjën dhe dramat e tij u ndaluan. Vetë Brehti emigroi nëpër botë ashtu siç kishin emigruar nëpër shekuj tërë poetët që kishin kënduar të vërtetën kundër të keqes globale. Por sot Breht është ajo figurë që përfaqëson mendimin më të lartë Gjerman të shekullit të 20-të me thënien e tij proverbiale se edhe një zë i vetëm mund të kthehet në maxhorancë
Vepra e Bertolt Breht, krijuesit më të madh të shekullit 20-të sot flet qartë dhe në dritë të diellit të vërtetën se asnjëherë s’duhet fshehur e vërteta, se e keqja e madhe e popullit mund t’i vijë sot nga ata që thonë; vijmë nga populli. Nga njerëz që në vetvete nuk kanë histori dhe që mundohen që historinë ta fillojnë nga e para.
Asnjëherë zërat e mëdhenj të popullit nuk janë shuar. Rastet e Tomas Man, Jack London, Golls Worth, Pastërnakut etj, tregojnë se mendimi gjenial i popullit vjen zakonisht nga klasikët, nga ata që në fillim quhen klasik të klasës në fuqi, ata i thyejnë korrnizat, ata i thyejnë kufijtë, ata i thyejnë shenjat e me të drejtë Gustav Flober thoshte; “mjerimi qé vjen nga gjeni të tillë”.

. . .Thonë se numrat e vegjël në shumicën e tyre kanë një opus negativ në mbarëvajtjen e shteteve kombe, por historia flet dhe për shembuj të kundërt. Le të marrim një nga rastet më sinjfikativ të revolucionit borgjez Francez. Të atij revolucioni të madh e të fuqishëm historik që me parrullën e famshme ”Liri-Barazi-Vëllazëri” bëri një përmbysje të atillë të shtresave klasore e raporteve njerëzore, që me të drejtë filozofi Gjerman Ludvik Fojerbah do ta quante; arti i gjithë revolucioneve, kënga e këngëve për qytetërimin modern.
Alsaza është një krahinë midis Francës dhe Gjermanisë, e banuar fillimisht prej Gjermanëve autoktonë, por që tokat i zotëronin feudalët francezë dhe si e tillë nëpër shekuj ishte një vatër sherri e luftërash midis dy shteteve e popujve. Me shpalljen e revolucionit borgjez, marrjen e Bastijës dhe botimin e deklaratave të të drejtave të njeriut, i gjithë sistemi feudal u shkul nga rrënjët (edhe ne Alsazan që atëherë ishte pjesë e Francës). Fshatarët u bënë njerëz të lirë dhe secili mori në zotërim tokën e vetë.
Ky hap vigan i revolucionit borgjez-Francez, i bëri Gjermanët e Alsazés, përkrahësit më të shquar të revolucionit borgjez-Francez. Ata shikonin se si vuanin fshatarët nën thundrën feudale të Gjermanisë fqinje dhe kërkuan vetë që në shkolla të futej gjuha frëngjisht, për tu integruar më mirë dhe sa më shpejtë në shoqërinë Franceze.
Fakti është që historianët më të mëdhenjë të revolucionit borgjez- Francez, kanë theksuar se kur revolucioni u vu në rrezik nga koalicioni i shteteve feudale, e sidomos nga Rusia e Gjermania, populli i Alsazés nxorri bijtë e tij më të shquar në radhët e ushtrisë revolucionare për të mbrojtur revolucionin. Do të kthehej në një traditë që në vlimet më të shquara të popullit Francez Alsaza do të nxirrte drejtuesit më të shquar në mmbrojtje të lirisë, madje dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nuk është rastësi që Marsejeza, (kënga flamur e revolucionit borgjez-Francez), u ngrit dhe u këndua për herë të parë në Strasburg, që është pjesë e Alsazés. Pra kur ka lëvizje të mëdha globale dhe interesa globale numrat e vegjël bashkohen me pjesën më të shëndetëshme të shoqërisë, madje vihen në ballë të kësaj shoqërie.
Le të marrim një shembull nga vendi ynë: Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur në vitin 1947 filloi Reforma Agrare, toka ju shpërnda fshatarëve, njëlloj si në çdo pëllëmb të tokës shqiptare edhe në Dropull. Tokë e cila dikur ju përkiste bejlerëve Shqiptarë të Gjirokastrës dhe të Beratit. Në këtë mënyrë edhe fshatarët e Dropullit morën tokë që nuk e kishin pasur kurrë dhe për hir të së vërtetës, kjo i shndërroi minoritarët në një shtresë të popullsisë që e përkrahën masivisht regjimin e ri pavarsisht se si avancoj ai me tej.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit