KreuKulturë / ArtAFRESKET E MOTRAVE ZENGO NË KISHËN E UNGJILLËZIMIT NË TIRANË

AFRESKET E MOTRAVE ZENGO NË KISHËN E UNGJILLËZIMIT NË TIRANË

AFRESKET E MOTRAVE ZENGO
NË KISHËN E UNGJILLËZIMIT NË TIRANË ( Andre Llukani)

Pikturimi i kishave me afreske nga motrat Androniqi dhe Sofia Zengo është rasti i vetëm në Shqipëri, madje mund të themi me plot gojë se është rast unikal në trevat e vendeve ortodokse ballkanike.

Androniqi Zengo ka lindur në vitin 1913 në Korçë. Artin e ikonografisë e mësoi nga i ati Vangjeli. Së bashku kanë pikturuar kishën e “Shën Mërisë” në Korçë në vitin 1928 dhe më 1930 kishën e “Shën Kollit” në Hoçisht. Më vonë Androniqi studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës. Gjatë pushimeve të verës ajo ka punuar për zbukurimin e kishave. Në vitin 1933 ajo pajisi me ikona kishën e “Shën Triadhës”.

Në vitet 1929-1945 Androniqi Zengo ka pikturuar në pesë kisha në rrethin e Korçës. Në vitin 1960 ajo ka punuar ikonat e kishës së Palasës në rrethin e Vlorës. Në vitet 1964-1965 Androniqi Zengo së bashku me motrën e saj Sofia kanë realizuar me mjeshtëri afresket e kishës së “Ungjillëzimit” në Tiranë.
Projekti i kishës u realizua nga ing. Skënder Luarasi. Kisha u ndërtua nga ndërmarrja “21 Dhjetori” me shpenzimet e shtetit si kompensim i kishës me të njejtin emër që u prish nga plani rregullues i qyetit. Shenjtërimi i kishës së “Ungjillëzimit” në Tiranë u bë më 21 mars 1965, me pjesëmarrjen e Kryeepiskop Paisit. Afresket janë pikturuar në stilin rus. Ato janë bërë me shpenzimet e kishës dhe kanë kushtuar 168 000 lekë. Në kubenë e kishës është pikturuar “Pantokratori”, katër Ungjillorët dhe të katër engjëjt përreth kubesë.
Atë Marko Papajani në kujtimet e tij ka shkruar: “Më 31 maj 1967, kisha e Ungjillëzimit u mbyll përfundimisht”, duke u kthyer në palestër ku stërviteshin gjimnastët. Klubi Sportiv “17 Nëntori” për të përmbushur nevojat e tij ka bërë disa shtesa dhe ndryshime në planimetrinë e kishës.

Salla kryesore e kishës ishte katandisur si mos më keq nga mosvënia dorë mbi të. Dritaret me xhama të thyer, suva të rrëzuara, çatia pjesërisht e rrënuar dhe lagështira ishte e pranishme kudo. Dyshemeja ishte e shtruar e gjitha me parket dhe nëpër mure qenë ngulur ganxha, të cilat shtrëngonin veglat gjimnastikore. Afresket e pikturuara me mjeshtëri nga motrat Zengo i kishin lyer me një shtresë të trashë gëlqereje që të mos dukeshin, megjithatë lagështira kishte mundur të zbulonte fytyrat e katër ungjillorëve, të cilët qenë pikturuar në harqet që mbanin kubenë e kishës.
Në elementët artistikë të afreskeve vërejmë prirje realiste, por ajo që e bën të veçantë është se Andronoqi Zengo emrat e shenjtorëve dhe skenave biblike që ata paraqesin janë të shkruar në shqip. Madje kjo mund të jetë arsyeja që edhe pas viteve 1990 me lirinë e besimit fetar, pikërisht atëhere kur të gjithë prisnin që afresket e kishës së Ungjillëzimit në Tiranë të dilnin në dritë ndodhi e kundërta. Ato u stukuan dhe u mbuluan me bojë për tu zhdukur nga kujtesa kolektive. Le të shpresojmë që një ditë puna e motrave Zengo të dalë në dritë me shkëlqimin e dikurshëm. Bashkë me afresket që janë pikturuar në kubenë e kishës të dalin në dritë edhe emrat e shenjtorëve që janë të shkruar në gjuhën shqipe. Ndërkohë zoti Kristaq Balli shkruan:

Androniqi dhe Sofia Zengo me origjinë nga Dardha e Korçës janë të parat dhe të vetmet piktore femra ikonografe shqiptare, si dhe piktoret e para laike femra në Shqipëri. Dardha përbën një rast unikal në Shqipëri përsa i takon artit ikonografik, pasi prej këtij fshati kanë dalë 25 ikonografë gjatë shek. XIX-XX, edhe pse ky art ishte në dekadencën e vet. Ato kanë punuar madje edhe në dekorimin e disa xhamive.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit