MURI PREJ XHAMI.
(Tregimi i së dielës)
Raqi i mbushi 25 vjet në Karolinën e Jugut. Tek ky shtet erdhi qysh në vitin 1998,kur i doli llotaria amerikane e nuk lëvizi kund. Erdhi mesoburrë,me dy çuna të vegjël e në Amerikë lindi vajzën që tani mbushi 22 vjeç,po mbaron kolegjin. I pëlqen Karolina. Ka emër vajze ky shtet dhe nga që është kaq i bukur kam rënë në dashuri me të,e thotë shpesh.
Vitin që shkoi doli në pension. Në Shqipëri ishte mjek,por dhe këtu ia doli. U bë ndihmës mjek. Nga që rrogën e pati të mirë pensioni i del dhe i tepron. Kështu i thotë,Gjergjit,çunit me të cilin banon,se Fredi ka ikur me punë në Atlanta. Eshte i martuar e me dy fëmijë. Ndérsa Gjergji ka veç një gocë. Mjalti i mjaltit të mjaltit,e quan Raqi.
Keto ditë po kërkonin një shtëpi më të madhe. Gjetën disa kaq të bukura sa të vinte e të hyje atë çast. Por ajo e djeshme i pëlqeu më shumë. Jo se ishte pranë oqeanit,jo se ishte më e madhe dhe me dritë ngado. Por se dhoma e ndenjes kishte një vetratë me xham në mes. Hapej kur organizoje festa dhe mbyllej e bëhej dy dhoma kur ishin ditë të zakonshme. Sa e pa këtë vetratë,Raqi u çel në fytyrë. Fredi e pa që i pëlqeu dhe e pyeti:
-Ta blemë?
Nuk i ktheu përgjigje çunit se mendja i shkoi fluturimthi në Korçën e tij. Atëhere kur ishte kérthi,afër 60 vjet para…
*** *** *** *** *** ***
Atë mëngjes dimri,kur jashtë kishte borë dhe qe acar,e çoi shpejt nëna nga gjumi.
-Do shkojmë te shtëpia jonë sot,-ia kujtoi ajo.
U çua vrik dhe veshi në çast tutat kaki. Do iknin nga banesa e dajës. Qëndruan atje disa vjet deri sa pardje iu dhanë një banesë te rruga kryesore e qytetit. Ia shtetëzuan një të pasuri,tha babai dhe tani atje do banonim 6 familje.
-Nxitoni,se mos na ngelet ne ndonjë dhomë e vogël,-tha babai.
Raqi kapi dorën e gjyshes dhe po ecte linkthi pas të rriturve. Arritën shpejt. Te shtëpia me dy kate pa një pllakë:”Bulevard Republika”.
-Kjo është,-i tha mamaja.
Hynë te një oborr i vogël mbushur plot me njerëz. Të shkallët,në krye qe një tullac i imët që kur fliste nxirrte stérkala.
-Familja Nino!
-Këtu,-dhe ngritën dorën nja gjashtë persona.
I mori me vete tullaci e pas pak ata po shihni turmën nga parmakët e verandës te kati i dytë.
-Këtë dhomë doja,-tha babai i Raqit.-Ka një wc atje. Ne të tjerët do dhjesim te ky qenefi jashtë,-e tregoi një kolibe te cepi i oborrit.
Pastaj u rregulluan të tjerët e në fund babai me Ethemin,kështu quhej burri i familjes tjetër me pesë fëmijë. Tullaci i mori bashkë e i ngjti lart. Te korridori i madh ishin dy dyer druri të larta e të skalitura. Hyni,u tha tullaci. Te dera e parë hyri familja e Ethemit. Te tjetra hyri familja e Raqit dhe për çudi u bashkuam në një dhomë. Dyert të nxirrnin te e njëjta dhomë. U panë me çudi. Do jetonin bashkë 13 veta? Mos qe shaka? Por tullaci shkoi te kreu i murit dhe terhoqi zvarrë disa dyer të mëdhaja të ngjitura me njëra tjetrën. Nga mesi e lart ato ishin me xham me lule,plot ngjyra. Rrëshqitën mbi dysheme e kur takuan murin tjetér bëri krak një shul që u ngul pérdhe. Dhoma u nda në mes. Babait i ra dhoma me një dritare,Ethemit ajo me një ballkon. Tullaci ngeli matanë dhe tregoi se poshte ishte një kuzhinë e përbashkët,nevojtorja qe jashtë dhe kaq.
-Ta gëzoni shtëpinë,-uroi dhe iku si era.
Nëna gati të qante. Gjyshja donte te pyeste,por babai ia beri me shenjë,kujdes se na dëgjojnë. Matanë Ethemi seç bënte me ca tenxhere e dëgjoheshin të qara fëmije.
Nisën një jetë që asnjë ëndërr nuk ta servir. Nata e parë pa gjumë. Sa dëgjohej një teshtimë këtej,shëndet thoshin nga dhoma tjetër. Babai i Raqit gërhiste paq,por Ethemi qe kampion. Një djalë i tij fliste në gjumë dhe u tmerruam kur një natë bertiste,vrije,mbyte!
Ditë pas ditë nisën njohjet. Te kuzhina u miqësuan gratë dhe filluan recetat e ushqimeve. Shtroheshim në tavolinë e na vinte zëri nga matanë:
-Doni ca turshi? Na i sollën nga Skrapari.
Babai ua kthente:
-Do pini ndonjë gotë me ne?
Dhe ajo dhomë me vetratë na u duk pas ca kohësh si një ndarje koti. Tani dinim se si i kishin hallet. Mësonim kur ishin sëmurë,kur nuk iu delte rroga,kur blinin ndonjë palë këpucë a pantallona. Fëmijët i bënin detyrat me pyetje e pérgjigje pér tabelën e shumëzimit,recitonin e korrigjonin njeri tjetrin. Dhe nëpër vite e hapën disa herë vetratën. Kur djali i madh i Ethemit shkoi ushtar,kur babai i Raqit mbaroi universitetin me korrespodencë dhe kur Raqi u operua nga apandeciti. U dukej sikur ishin një familje,vec dalloheshin nga mbiemri. Sa herë ishin në sebepe e vaki të rriturit hapej muri dhe dukej sikur shtëpia ishte plot,nuk mungonte kush. Shkuan vite e një ditë babai i tha Raqit se do iknin në pallat,andej nga stadiumi. Nëna u gëzua,por babai i kafshoi buzë. Kujdes se do merziten ata matanë,donte të thoshte. Kur edhi dita të largoheshim i mbyti ngashërimi të dy palët. Nuk ndaheshin,ashtu si nusja që qan kur braktis shtëpinë e babait.
Në pallat kishin dy dhoma e një kuzhinë. Djemtë,se u bë me dy,i vuri te një dhomë. Por ata ndenjën pa gjumë. Iu dukej sikur ishin në pyll. Nuk flinin dot me aq qetësi. Gjyshja gati u sëmur se donte muhabet dhe natën. Nënës i mungonte Hajrija,gruaja e urtë dhe e qetë e Ethemit. Në mëngjes do iknin vrap te shtëpia e vjetër,por te dera erdhi komplet familja e Ethemit.
-Të rrimë ca ditë ketej,të mesohemi,-thanë ata.
E sërish u mbush plot ajo banesë,me jetë,me njerëz,me lumturi.
Këto kujtonte Raqi dhe një vetratë e thjeshtë e detyroi të blinte një shtëpi të tërë. Se ajo vetratë zmadhon hapësirën,por dhe shton miq e shokë. Shton gaz e hare. Të shton jetë,i tha vetes.
-Do e blemë,bir. Qysh nesër,sa të dalë dielli…
Agim Xhafka
@NewsIn.Al

