HomeKulturë / ArtIkona “Shën Gjergji” sipas firmës që mban në krahun e djathtë është...

Ikona “Shën Gjergji” sipas firmës që mban në krahun e djathtë është vepër e vajzës dardhare Sofia Zengo

Ikona “Shën Gjergji” sipas firmës që mban në krahun e djathtë është vepër e Sofia Zengos, njëra prej katër vajzave të ikonografit të njohur dardhar Vangjel Zengos e cila vazhdoi rrugën e të atit. Kjo artiste perfundoi studimet në vitin 1941 në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Prej saj ruhen vepra të shumta në GKA Tiranë, në MKAM Korçë , në Galerinë “G.Madhi” Korçë dhe koleksione private.
Ikona është pikturuar në vitin 1941 me kontributin e Gaqo Naum Stathit. Kulti i Shën Gjergjit duke vrarë dragoin është mjaft i përhapur në Lindjen Ortodokse. Shën Gjergji respektohet si një nga martirët më të mëdhenj të krishtërimit, si rrjedhoje ikona e tij është nga më populloret.
Në këndvështrimin ikonografik ajo ilustron një skenë nga jeta e shenjtit, momentin kur ai vret dragoin e tmerrshëm. Si ushtar në shërbimin e Perandorit Dioklecian ai u ngrit në rangun e strategut dhe u martirizua po me urdhërin e tij. Kjo temë është nga më të lëvruarat në pikturën pasbizantine dhe paraqet aktin heroik të vrasjes të dragoit. Ajo bazohet në një legjendë të shek. V në Libi. Dragoi adhurohej si hyjni nga paganët e atjeshëm. Ata e zbusnin duke i dhënë fëmijët e tyre. Kur ishte rradha e vajzës të mbretit u shfaq Shën Gjergji mbi kalin e bardhë , e goditi atë me shtizë duke e mbërthyer në tokë. Çlirimi nga dragoi simbolizon çlirimin nga paganizmi.
Në këtë ikonë episodi paraqitet në mënyrë të reduktuar vetëm me elementët kryesorë. Shenjti këtu paraqitet në aktin final kur i ngul shtizën dragoit të tmerrshëm. Figura e tij veshur me pancir dhe pelerine të kuqe dominon kompozimin. Kali i bardhë është ngritur në dy këmbët triumfues mbi dragoin e shtrirë në këmbët e tij ndërsa Elisabeta në cepin e djathtë ndjek në ankth skenën. Në modelimin e figurave dhe të peisazhit Sofia Zengo vazhdon në gjurmët e të atit në traditën e Malit të Shenjtë të fund-shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Vëllimet janë të plota, modelimi realist dhe skena pikturohet në mënyrë natyraliste. Në krahun e djathtë pranë kështjellës që rrethohet nga bimësia e dendur shihen disa qiparisa ndërsa në të majtë një pemë e madhe. Elementët florealë të pikturuar këtu duket se nuk kanë ndonjë ngarkesë simbolike. Ato janë thjesht pjesë e peisazhit në të cilin po ndodh ngjarja.

Muzeu i Artit Mesjetar Korçë

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments