Policia e Shtetit ka konfirmuar lajmin e transmetuar më herët për kërcënimin me bombë në avionin e linjës Manchester–Rinas, që mbërriti mbrëmjen e kësaj të enjteje në aeroportin e Rinasit.
Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, menaxheri i aeroportit njoftoi shërbimet e Policisë Kufitare se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër e shkruar në anglisht, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Pas njoftimit, policia ndërhyri në pistë dhe bëri të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve.
Më pas, avioni, pasagjerët dhe bagazhet u kontrolluan me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Pasagjerët iu nënshtruan kontrolleve individuale, fillimisht nga policia dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, për të identifikuar persona apo sende që mund të lidhen me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë send shpërthyes. Për rastin është njoftuar Antiterrori, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e ngjarjes dhe identifikimin e personit që ka shkruar letrën kërcënuese.
@NewsIn.Al

