KreuKulturë / ArtArshi Pipa - VDEKJA E VINÇENC PRENDUSHIT

Arshi Pipa – VDEKJA E VINÇENC PRENDUSHIT

Arshi Pipa

VDEKJA E VINÇENC PRENDUSHIT

Kam parë shumë njerëz të vuanin rreth meje; intelektualë, inxhinierë, klerikë, por dhe fshatarë e punëtorë. Gjyqet ishin vetëm farsa të poshtra, sepse vendimet ishin vendosur shumë kohë më parë nga ministri i brendshëm. Vinçenc Prendushi, françeskan, poet i madh, që ishte kreu i Kishës katolike, u arrestua në moshën 86 vjeç dhe u akuzua se ishte pjesë e “klerit reaksionar”, se ishte armik i popullit, “bashkëpunëtor”, “fashist”, “agjent i Vatikanit” dhe se kishte bërë përpjekje për të përmbysur qeverinë. U dënua me njëzet vjet burg dhe me punë të detyruar. Iu përgjigj gjykatës se nuk kishte vepruar kurrë keq në jetën e tij, se nuk kishte ushtruar asnjë diskriminim. E mbaj mend mirë, sepse me të ndaja të njëjtën qeli të vogël, së bashku me nja tridhjetë burra të tjerë. Rrinim të ngjeshur në më pak se 40 metra katror, por linim hapësirë rreth arkipeshkvit në shenjë respekti ndaj tij. Për më tepër, mes nesh, të burgosurve, s’kishte më dallime: pak rëndësi kishte pozita jonë shoqërore apo edukimi ynë intelektual. Qëllova pranë tij dhe u bëmë miq pa dallim përkatësie fetare, sepse unë jam mysliman. Qëndruam bashkë deri ditën e vdekjes së tij më 1948. Biseda jonë kishte të bënte sidomos me letërsinë dhe, veçanërisht, poezinë.
Policët e kishin goditur plakun me shkopinj. I kishin lidhur duart dhe këmbët dhe e kishin varur në tavanin e një dhome ku kishte vuajtur deri sa kishte humbur ndjenjat. Imzot Prendushi iu nënshtrua punës së detyruar. I duhej të shkarkonte kërcunj druri nga një karrocë që ndodhej në rrëzë të kodrës mbi të cilën ndodhej burgu dhe t’i sillte deri te ndërtesat. Ishte punë e rëndë për të që vuante nga një hernie. Rojet nuk pushonin së talluri me të duke e fyer me tonin e zërit të tyre kur shqiptonin vetëm fjalën “Prift!”! Talleshin me të duke i thënë: “S’ke punuar kurrë në jetën tënde?” dhe përfitonin nga kjo për ta rrahur dhe për t’i ngarkuar drurë të mëdhenj të shpinë.
Vdiq në spitalin e Durrësit ku ndodhesha i shtruar dhe unë, në të njëjtën kohë me të. Vuante nga një sëmundje zemre dhe kriza astme. Mjekët ishin shumë të përkushtuar për t’ia lehtësuar dhimbjet. Mendova se në çastin e prishjes me Jugosllavinë mund të përfitonte nga ndonjë amnisti, por nuk ndodhi kështu. I qëndroja shpesh te koka natën dhe dëgjoja me dhimbje të madhe rënkimet e tij për shkak të astmës. U përpoqa t’i bëja masazh te këmbët, siç bënim shpesh me të burgosurit e sëmurë. Problemi ishte se bënte shumë ftohtë. S’kishim dru mjaftueshëm për ta mbajtur zjarrin të ndezur gjithë natën. Dhe ishim gjithë kohës në errësirë. Peshkopi më kujtonte fjalët e Gëtes: “Dritë, më shumë dritë!” Ai përsëriste fjalët e proverbit shqiptar “T’u bëfshin sytë dritë për botën!” Ishte një thirrje për një mendim të ndriçuar, por edhe për spiritualitet dhe misticizëm. Vinçenc Prendushi pati fatin e zi që njohën shumë shqiptarë të tjerë, duke pranuar të vdesin pa i tradhtuar bindjet e tyre. Vdiq në shkurt 1949. Ia mbylla unë sytë. Gjeti paqen. Vdiq për idealin e tij.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit