Asgjë nuk ndryshon në Shqipëri…asgjë në njerëzit, asgjë në liderat, asgjë në mentalitet!
Dy lëvizjet e fundit në Partinë Demokratike treguan dhe një herë se sa larg DEMOKRACISË jemi të gjithë në në veprime, mentalitet dhe mendime.
Motoja kundërshtari është armiku im vazhdon…brenda ditës një emër nga i nderuar shndërohet në komunist, apo antiamerikan! E pabesueshme, por e vërtetë…këta jemi ne dhe për sa kohë nuk do ndryshojmë vetë ne, as ata që na përdorin, etiketojnë dhe zgjidhen nga ne nuk do ndryshojnë…
Më thoni një arsye që “unë” që sot mbështes Lulin jam Sorosist, i shitur, apo Ramist?
Më thoni ju të tjerët se përse “unë” që mbështes Berishën jam anti demokrat, anti amerikan, apo i koruptuar?
Po mirë bre, deri para dy muajsh nuk “ishim” të gjithë bashkë, demokratë, anti Ramistë, apo anti Sorosistë?
Po kaq njerëz plastelinë mbetëm që marrim formën sipas oreksit të njërit, apo tjetrit lider?
Sot hamë bukë bashkë, nesër të marrim me gurë! Këta jemi “ne”…kështu na krijoi Enveri dhe kështu mbetëm…Gjaku nuk bëhet ujë!!!
Përmënda lëvizjet e fundit në PD se këto janë të freskëta, por kjo gjëndje është në çdo molekulë të politikës shqiptare. Më thoni një politikan në çdo parti që ka kundërshtuar LIDERIN dhe të nesërmen nuk është shpallur “kulak”???
Pale këta deputetë që dalin nga koalicionet…këta janë gazi i botës…i futin nëpër lista, i bëjnë deputetë nga hiçi dhe “të nesërmen” të bëjnë hasha e të japin leksione demokracie.
Bashkohuni një herë o liderë të çmuar dhe na thoni se kë duhet të votojmë që të mos quhemi komunistë, Sorosistë, Ramistë, anti amerikanistë, peng-Bashistë, grekë, serbë, ballistë, UFO e ç’ të kujtoj tjetër epitet?
Kur do na quajnë vetëm shqipëtarë para kutive të votimit? Kur do e heqim “kleçkën” në biografi që e marrim automatikisht sapo shprehim hapur përkrahjen për një forcë politike?
Në fakt kot pyes…përgjigjen e dimë të gjithë ne, e di dhe bota…e dinë “të paditurit” që ne sot i akuzojmë dhe të nesërmen i votojmë!
Ilir Jano

@NewsIn.Al

