Ati ynë…
Që je larg
Dhe ke merakun e çdo Poseidoni
Që trazon fundoqeanet e mia,
Me qetësi i mbledh sirenat që m’i vrasin
E ua ngjit luspat e hedhura tej
Këmbëve të mia të gjata…
Sa herë guxoj dhe dal nga shtrati
I të qënit femër normale,
Që nuk duhet të flasë
Nuk duhet të thotë “jo”
E që nuk ka asnjë lidhje me mua.
Dhe ti prapë kujdesesh për fluturat e mia
Si të isha i vetmi tempull
Që mbledh dashuritë e gjalla
Të vdekurat,
Të përjetshmet,
Flutura qofshin dhe le mos fluturofshin kurrë
Ti do e ndezësh çdo natë farin
Që unë
Ato,
Të mos e humbasim rrugën ,
Të kthehemi gjithmonë atje
Ku njeriu mund të nxerrë brenda një loti
Ku lotin mund ta fusësh në një zarf
E ai edhe pas mijëra vjetësh,
Kur njerëzit të mos bëjnë më poezi
Të bjerë erë gishtash që përkëdhelin…
Që nuk mbajnë më cigare mes tyre
Por ndërtojnë murin sa më fort
Ku unë mund të përplas kokën
E të mos dhembë…
Mur babai që shikon dhe hesht
Që pret …
Edhe kur zogjtë ngatërrohen nëpër stinë
Dhe e vonojnë pranverën
Të tijën ardhje që e pret te pragu
Si të ishte gjithmonë e para
Para çdo prurjeje tjetër
Të Olimpit…
Një Eros jam,
Lindur prej buzësh ku fole kishin
Dallëndyshet…
Dy ,
Unë dhe ime motër
Më e vogël ajo
Më e madhe vonesa…
Çdo vit e më plak pragu
Që pret ta kapërxejmë
Dhe le të bëjë zhurmë prej druri të kalbur,
Prapë do qeshë,
Do e bëjë sa më të lartë murin prej pambuku
Ku ne të përplasemi
Dhe të mos themi më “oh”
Ati ynë …

Elona Gjergo

