Avokatët nuk janë spektatorë janë mburoja e drejtësisë
nga Avokat Edmond Petraj
Në Shqipëri, drejtësia po bëhet teatër dhe në këtë teatër, duan që avokatët të jenë spektatorë të heshtur. Por kjo nuk do të ndodhë. Avokati nuk është dekor në sallën e gjyqit.
Ai është mburoja e qytetarit përballë pushtetit, dhe kur pushteti abuzon, detyra e avokatit është të kundërshtojë me forcë, me ligj dhe me guxim.
Në shumë gjykata po shohim të njëjtën skemë: prokurorë që sillen si gjykatës, gjykatës që bëhen zëdhënës të akuzës, dhe klientë që dënohen përpara se të dëgjohen. Në këto kushte, avokati nuk ka më përballë drejtësinë, por një sistem të deformuar që e përdor ligjin si armë kundër të pafuqishmëve.
Ngjarja e Elbasanit është kambana e alarmit: kur arroganca, presioni dhe manipulimi zëvendësojnë provat dhe të drejtën, procesi nuk është më gjyq është farsë.
Dhe në një farsë të tillë, çdo avokat që hesht, bëhet bashkëpunëtor në padrejtësi.
Avokatët duhet të reagojnë, të bojkotojnë, të hidhen në sulm institucional e publik. Të mos pranojnë më shkelje, as nënçmime, as ndërhyrje politike apo policore në sallë.
Sepse një drejtësi që frikëson avokatin, është një drejtësi që ka vdekur.
ILD, KLGJ dhe SPAK duhet të zgjojnë ndërgjegjen e fjetur të institucioneve. Nuk mund të rrinë më në heshtje. Heshtja e tyre është pëlqim ndaj abuzimit. Ata janë krijuar për të mbrojtur ligjin, jo për t’u fshehur pas tij.
Avokati nuk lufton për veten ai lufton për qytetarin, për shtetin e së drejtës, për të gjithë ata që nesër mund të jenë në vend të klientit të tij.
Dhe kur drejtësia bëhet padrejtësi, detyrë e avokatit është të jetë në sulm, jo në pritje.
Mos ta lëmë vetëm Avokat Bajramin
Kjo është arsyeja pse kërkohet reaksion kolektiv dhe institucional
Bojkotim i seancave ku cenohet barazia e palëve dhe procedura ligjore
Kërkesë për ndërhyrje urgjente nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD)
Hetim disiplinor nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ)
Ndjekje penale nga SPAK për çdo rast ku konstatohet shkelje apo ndikim i paligjshëm mbi procesin gjyqësor.
@NewsIn.Al
