Ballkan pazar, Ballkan hesap…Ballkan politikë…!
Nga Ilir Jano
Hap dosje, mbyll dosje…akuzo njërin, akuzo tjetrin…
Varfëri dhe makutëri në ekstrem!
33 vite kemi që ulërijmë për dosje, kriminelë, politikanë hajdutë e të babëzitur, por…
Por ne të gjithë e dimë këtë “por” dhe ngrysemi e gdhihemi me të…
Pse ka njeri që nuk e di se ç’mban ky dhe? Mban kjo tokë shumë dallkaukë…mban me pendë, mban pa pendë…mban të shkundur, mban të zgajdur, milionerë dhe kalanderë…mban të rinj, mban të vjetër…mban dhe prodhon, e në prodhimi është e keqja.
– Të prodhosh dallkautllëk është e padurueshme dhe kjo nuk ndalet… nuk ndalet, nëse nuk e ke “vrarë” dhe zhdukur këtë gangrenë. Po e le të zvarritet, ajo shtohet…shtohet dhe detyrohesh ta pranosh e ta gelltitësh…të gëlltitësh përçmimin që ti nuk ju jep atyre, që veç përçmim dhe përbuzje meritojnë…
S’paska gjë më të keqe në botë se sa ti ”dhurosh” buzëqeshje, një fytyre që veç ”rrudha të zhubrosura” ka nën lekurë…fytyra të pafytyra që bëjnë gjithçka dhe përballë tyre, njerëz të kthyer në sardele, që zemërgjërësia e “biznesmenit” i lyen me vaj, për ti konservuar dhe shitur në vetë ata…njerëz që hanë veten…atë copë “njeri” që akoma ju ka mbetur…
Keni dëgjuar ju për ndonjë politikan që të thonë: “Ky po, ky është i ndershëm dhe i aftë!
Jo…të gjithë anatemohen dhe kryqëzohen.
SPAK tashmë i ka prishur gjumin kësaj politike…filluan me ministra e kryetarë bashkish socialistë, vazhdojnë me drejtues të lartë politikë të partive të ndryshme, për të ‘përfunduar’ dje me familjen më “të paprekshme” në Shqipëri, familjen e Berishës!
E pra,asgjë nuk ndryshon…kujt ti besosh? Refreni i njëjtë përsëritet…
Çfarë të bësh…të flesh, apo të bësh sikur zgjohesh kur e di që politikanët të këndojnë ninullën e rradhës për të të tundur djepin…
“Fli”, siç ke fjetur “njeri”…kush zgjohet me urdhër vetëm “si urdhëron” do të thotë gjithë jetën!
Ilir Jano _ Në Korçën tonë
@NewsIn.Al

