Duke ju referuar gazetës Tema, mësojmë se sot Sali Berisha gjatë një takimi elektoral me demokratët në qytetin e Korçës, u shpreh se kur të vijë PD-ja në pushtet, do të shpallë non-grata multimiliarderin George Soros.
Sipas Berishës, filantropi Soros është armik për demokracinë në Shqipëri i cili sipas ish-kryeministrit është angazhuar në shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndër të tjera, Berisha ka zbuluar kërkesën që ka bërë për Parlamentin Europian dhe Kongresin e SHBA-së.
Berisha u shpreh se ka kërkuar këto dy instanca të ndalojnë çdo veprimtari politike të Soros jashtë SHBA-së.
“Po të garantoj që nga aktet e para të PD-së në pushtet do të jetë George Soros non-grata. George Soros, me rivendosjen e monizmit në shoqërinë civile në Shqipëri, me vendosjen e drejtësisë me reformën e tij në kontrollin e qeverisë, me implikimin e tij direkt në shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe projekte të tjera, është një armik i vërtetë i demokracisë shqiptare.
Kam kërkuar nga Parlamenti Europian dhe Kongresi i SHBA-së, të ndalojë çdo veprimtari politike të tij jashtë SHBA-së. Për Shqipëri, ai nuk do të ketë më vend, dhe nuk do ushtrohet aktiviteti i tij në Shqipëri” – tha Berisha.
Hajde merre vesh se çfarë ju duhet korçarëve se ç’bën Sorosi?! Dhe hajde besoje…Berisha ka qënë 15 vjet në pushtet dhe nuk i vajti në mëndje ta shpallte “të padëshirueshëm” Sorosin.
@NewsIn.Al

