Një kryeministër i fiksuar me iluzione që beson se mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme kundrejt një opozite që aktualisht është e përçarë në parti më të vogla e që nuk ekziston më si opozita e dikurshme.
Si është e mundur që një person me një periudhe gri-të errët në politikën shqiptare, një non grata, ende beson se jo vetëm që mund të fitojë zgjedhjet, por edhe të qeverisë vendin?
Ka filluar të bëj premtime për shpenzime të ardhurash e zgjidhje që praktikisht nuk mund të qëndrojnë në një buxhet, në realitetin ekonomik dhe në kuadrin e kapaciteteve të një politike fiskale.
Ai ende beson tek një PD e madhe, ajo që ai e shkatërroi për qëllime dhe ego personale dhe po ashtu ende beson se do të sjellë heqjen e vizave për të udhetuar ne SHBA. Për fat të keq ai është jashtë çdo realiteti.
Në fakt gjatë 14 viteve të fundit vetëm një parti opozitare ka paraqitur një program qeverisës të shkruar dhe ajo ishte PD e drejtuar nga Z. Lulzim Basha para zgjedhjeve të vitit 2016. Unë kisha shumë pikepyetje për atë program për shkak të shumë kontradiktave dhe elementëve të pajustifikuar që kishte. Por e vërteta është që vetëm ai program ka ekzistuar ndonjëherë.
Në këtë moment mendoj se nuk ka opozitë që mund të fitojë ndonjë lloj zgjedhje përgjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm, në rast se zhvillimet nuk do të ndryshojnë nga këto që janë.
Së pari, sepse ata janë shkëputur nga qytetarët dhe nevojat e tyre, duke u përqëndruar në përfitime dhe ego personale.
Së dyti, ata nuk kanë kuptuar frymën e re të ekonomisë globale dhe gjeopolitikën, sepse ata ende jetojnë në pasojat e një regjimi komunist, ende të viteve 1990-2020-ave.
Për më tepër, nuk mund të kundërshtosh një qeveri me akuza boshe, pa bazë duke konsideruar kriminel këdo. Pasi nëse politikanët tanë janë kriminelë, edhe ne votuesit jemi kriminelë, sepse politikanët janë pasqyra jonë, e shoqërisë.
Njerëzit nuk janë idiotë dhe nuk mund të binden më vetëm me fjalë, pasi ata nuk mund të harrojnë përvojat e së kaluarës.
Në anën tjetër është një kryeministër dhe partia e tij qëqeverisin vendin për më shumë se 12 vite, dhe pa ndonjë aleancë, të madhe apo të vogël, në katër vitet e fundit.
Në fakt, sipas mendimit tim, kryeministri Edi Rama është kryeministri më i suksesshëm i vendit, sepse ka mundur ta transformojë atë, pas Tiranës, shumicën e fushave të Shqipërisë, ekonominë e saj, investimet e huaja direkte, reforma e drejtësisë, infrastruktura e saj dhe prania në botë. C’duhet kujtuar më parë? Shkollat? Autostradat? Spitalet?
Por ekziston një ‘POR’ e madhe. Përse Rama vs. Rama?
Me gjithë këtë rezultate pozitive, duke përfshirë edhe shumë konspiracione, ai duhej të kishte qënë “Mbreti” i politikës shqiptare deri në pensionim.
Cfarë po ndodh? A ka ndonjë problem?
Në bazë të anketimeve, PS dhe Edi Rama do t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme.
Edhe pse qytetarët, përfshirë edhe votues të PS-së, kanë shumë ankesa për qeverisjen e tij dhe korrupsionin. Por në fund ata do të votojnë për PS-në, sepse aktualisht është partia e vetme që premton se do ta çojë Shqipërinë përpara dhe, sigurisht, në rrugën e saj drejt Bashkimit European.
A është Rama vs. Rama pengesë për zgjedhjet dhe për fushatën elektorale?
Problemi qëndron, pasi ky është një problem, tek përbërja e qeverisë dhe tek anëtarët e parlamentit. Stërlodhja e qeverisë, duke qënë 12 vite në pushtet, së bashku me korrupsionin dhe lidhjet e saj me grupimet e ndryshme të biznesit dhe një lloj lidhje me krimin, e ka tendosur besimin e qytetarëve.
Mendoj se një spastrim i brendshëm, si në parti ashtu edhe në kabinet qeveritar, është një kërkesë e detyrueshme para zgjedhjeve, ose të paktën menjëherë pas tyre.
Herë pas here ne duhet të pastrojmë “shtëpinë“ tonë dhe të hedhim tej gjithë mbeturinat, pa pritur që këtë ta bëj në fillim SPAK-u (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar).
Duke qënë proaktivë shtohet besimi i qytetarëve, ose e rifiton atë nëse nuk e ke humbur plotësisht.
Jam lodhur duke dëgjuar në mbarë vendin që ata janë të korruptuar.
Jam lodhur duke dëgjuar që të gjithë bizneset, projektet shtetërore u janë dhënë, ose do t’u jepen ”miqve.”
Jo! Sigurisht jo të gjithë janë të korruptuar. Të paktën shumica e zyrtarëve publikë nuk janë të korruptuar dhe nuk e meritojnë një shpifje, përcaktim të tillë.
Problemi lidhur me këtë qëndron edhe në faktin se pas regjimit, edhe qytetarët janë rritur e mësuar të korruptojnë zyrtarin, shërbëtorin publik të niveleve të ndryshme të hierarkisë. Gradualisht korrupsioni është kthyer në diçka normale ose, thënë më ndryshe, i zakontë.
Një tjetër problem i Ramës vs. Rama është edhe vota e diasporës. PS është e organizuar shumë mirë në vende të tjera. Shumë më mirë se PD që e ka zbuluar diasporën veçse kohët e fundit.
Por për cilën diasporë po flasim?
Shqiptarët që emigruan 10-20-30 vite më parë janë integruar në shoqëritë e vendit të destinacionit të tyre, atje ku jetojnë.
Pasi u larguan nga Shqipëria, nga situata politike dhe ekonomike e asaj kohe, shumë prej tyre nuk i njohin zhvillimet e tanishme në vendin e tyre.
Disa prej tyre, për të mos thënë shumica e tyre, nuk janë taksa paguesë këtu dhe nuk deklarojnë ndonjë lloj pasurie. A është e arsyeshme që gjithë këta persona të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve? Asgjë nuk do të ndryshojë për ta dhe jetesën e tyre të përditshme, por jetët tona në shumë aspekte mund të ndryshojnë (nga vota e tyre).
A nuk mendoni se do të ishte më mirë që banorët që jetojnë në vend të merrnin pjesë më shumë në zgjedhjet e ardhshme dhe pjesëmarrja t’i kalonte 50%? Jemi ne që jetojmë këtu dhe që ndjejmë, pozitivisht ose negativisht, pasojat e vendimeve politike. Janë jetët tona ato që ndikohen nga protestat, demonstratat, rrugët e bllokuara dhe tendat.
Sigurisht PS do të jetë fituese e 11 majit pavarësisht nga mërzitë me këtë qeverisje, ose nga çështjet ligjore të hapura për një sërë ministrash apo zyrtarësh të lartë.
Ajo çka mbetet është të shohim përqindjen dhe shumicën në parlament. Do të ishte mirë të kishim një rezultat të pastër pa aleanca. Në këtë moment mendoj se përshtatet kaq shumë perifrazimi i dictum (motto) të njohur që “Nuk është e mjaftueshme që gruaja e Cezarit të duket e ndershme. Ajo duhet të jetë e tillë.”
Les Miserables
@NewsIn.Al

