KreuKulturë / ArtBesiana Kadare- Marre nga Brenga e Parisit e Baudelaire, FTESË PËR...

Besiana Kadare- Marre nga Brenga e Parisit e Baudelaire, FTESË PËR UDHËTIM

Marre nga Brenga e Parisit e Baudelaire, qe kam perkthyer nga frengjishtja.

FTESË PËR UDHËTIM

Ekziston një vend i mrekullueshëm, një vend i begatë, thonë, që ëndërroj ta vizitoj me një mike të vjetër. Është një vend i jashtëzakonshëm, i mbytur në mjegullat e Veriut tonë, dhe që mund të quhej Orienti i Perëndimit, apo Kina e Evropës, aq bukur ka lulëzuar atje një fantazi e ngrohtë dhe trillane, e cila i ka stolisur gjithë durim dhe këmbëngulje ato vise, me një bimësi të rrallë dhe delikate.

Një vend i vërtetë begatie, ku gjithçka është e bukur, e pasur, e paqme, e fisme; ku luksi pasqyrohet gjithë ëndje brenda rregullit; ku jeta është e kolme dhe e ëmbël për t’u thithur; një vend ku nuk ekzistojnë rrëmuja, trazira dhe e papritura; ku lumturia shkrihet me heshtjen; ku edhe vetë kuzhina është njëkohësisht poetike, e pasur dhe joshëse; ku gjithçka ju ngjan juve, engjëlli im i dashur.

A e njeh atë sëmundje të ethshme që të pushton e të mbështjell me ftohtësinë e saj mjeruese, atë nostalgji për një vend që s’e njeh, atë ankth që të jep kureshtja? Ka ca vise që të ngjajnë ty dhe ku gjithçka është e bukur, e pasur, e paqme dhe e fisme, ku fantazia ka ndërtuar dhe stolisur një Kinë Perëndimore, ku jeta është e ëmbël për t’u thithur, ku lumturia shkrihet me heshtjen. Atje
duhet të shkojmë për të jetuar, atje duhet të shkojmë për të vdekur!

Po, atje duhet të shkojmë për të marrë frymë, për të ëndërruar dhe për të zgjatur orët me pafundësinë e ndjenjave. Një muzikant ka shkruar një “Ftesë për vals”*; cili është ai që do të kompozojë një “Ftesë për udhëtim” që të mund t’ia ofrojmë gruas që duam, motrës së zgjedhur?

Po, në këtë atmosferë do të ishte bukur të jetoje, – atje larg, ku orët, më të ngadalta, përmbajnë më shumë mendime, dhe ku tiktaku e ritmon lumturinë me një solemnitet më të thellë dhe më kuptimplotë.
Mbi tablo të shndritshme, ose mbi bashka të praruara të një luksi të zymtë, jetojnë pa bujë piktura të paqme, të qeta dhe të thella, ashtu si shpirtrat e artistëve që i kanë krijuar. Drita e perëndimit të diejve, që i jep ngjyra aq të pasura sallës së bukës apo sallonit, filtrohet prej stofrash të bukura ose prej dritareve të punuara me mjeshtëri dhe të ndara nga shufra plumbi në katrorë të shumtë. Orenditë janë të gjera, kureshtare, të çuditshme dhe të mbyllura, sikurse shpirtrat e rafinuar, me brava dhe sekrete. Pasqyrat, metalet, stofrat, argjendaria dhe fajanca luajnë për sytë një simfoni të heshtur dhe misterioze; dhe nga çdo gjë, nga çdo cep, nga sirtarët dhe palat e stofrave, çlirohet një parfum i veçantë që të kujton Sumatrën dhe që është bërë tashmë si shpirti i banesës.

Një vend vërtet i begatë, të them, ku gjithçka është e pasur, e pastër dhe e ndritshme, si një ndërgjegje e kthjellët, si enë kuzhine madhështore, si argjendurina të shkëlqyeshme, si stolira të larmishme! Thesaret e botës kanë vërshuar aty, si në shtëpinë e një njeriu punëtor që e ka merituar me djersë të gjithë botën. Vend i çuditshëm, sipëran nga gjithë të tjerët, siç është Arti ndaj Natyrës, kur kjo e fundit është e tjetërsuar nga ëndrra që e ka ndrequr, zbukuruar dhe ripërtërirë.
Le të kërkojnë pa fund, le t’i zmbrapsin pa reshtur kufizimet e lumturisë së tyre alkimistët e kopshtarisë. Le të ofrojnë çmime prej gjashtëdhjetë apo njëqind mijë fjorintash për atë që do të zgjidhë problemet e tyre ambicioze! Unë për vete e kam gjetur tulipanin tim të zi dhe gjeorgjinën time blu*!

Lule e pakrahasueshme, tulipan i rizbuluar, gjeorgjinë alegorike, a s’është vallë në atë vend aq të qetë dhe ëndërrndjellës ku duhet vajtur të jetojmë dhe të lulëzojmë? A nuk do të ishe ti e mbyllur si në kornizën e shëmbëllimit tënd, dhe a nuk do të pasqyroheshe, për të folur si mistikët, në dyzimin tënd?

Ëndrra! gjithmonë ëndrra! dhe sa më ambicioz dhe delikat është shpirti, aq më tepër ëndrrat e largojnë nga e mundshmja. Çdo njeri mbart në vetvete dozën e tij të lindur të opiumit, të prodhuar dhe të ripërtërirë pareshtur. Por, që nga ora e lindjes derisa arrin ajo e vdekjes, sa orë mund të numërojmë që janë të mbushura me kënaqësi, me veprime të planifikuara dhe të dala mbanë me sukses? A do të shkojmë dhe të jetojmë dot vallë në këtë tablo që ka pikturuar mendja ime, tablo që të ngjan ty?

Këto thesare, këto mobilie, ky luks, kjo harmoni, këto parfume, këto lule të jashtëzakonshme, je ti. Prapë ti je edhe këta lumenj të gjerë e këto kanale të qeta. Këto anije madhështore që lundrojnë mbi ta, të ngarkuara rrëng me pasurira, dhe nga të cilat ngrihen këngët monotone të detarëve, janë mendimet e mia që prehen ose rrokullisen mbi gjoksin tënd. Ti i udhëheq butësisht drejt detit që është Pafundësia, gjithë duke pasqyruar thellësitë e qiellit në tejdukshmërinë e shpirtit tënd të bukur; dhe kur, të lodhura nga lëkundja e valëve dhe të ngopura me prodhimet e Orientit, ata hyjnë në portin amë, janë përsëri mendimet e mia që, të pasuruara, rikthehen nga Pafundësia për të ardhur tek ty…./Besiana Kadare

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit