HomeKulturë / ArtBoris Plumbi (Pianist) (Sofje 27/02/1923 - Korçë 30/05/2007)/A.I.SULIOTI

Boris Plumbi (Pianist) (Sofje 27/02/1923 – Korçë 30/05/2007)/A.I.SULIOTI

Boris Plumbi (Pianist)
(Sofje 27/02/1923 – Korçë 30/05/2007)

Ai lindi më 27 shkurt 1923 në Sofje pasi ishte biri i një diplomati shqiptar në Bullgari, por mbeti jetim fare i vogël dhe për të do kujdesej e ëma e cila rridhte nga familja e mirënjohur korçare, Nikolla. Në vitin 1926 familja Plumbi kthehet në Korçë dhe Borisi shkollën fillore e kryen në kolegjin “Kenedi” të misionit amerikan në qytet. I edukuar në ndikimin e nënës së vet ai që në moshën 7-vjecare hyri në rrugën e artit.

Në 1930 merr pjesë në një koncert të organizuar nga shoqëria “Lira” në një shfaqje baleti, ku me partneren e tij, vogëlushen Antoneta Llambi, luajnë një minuetë nga opereta “Don Juan” të Moxartit e cila ishte përgatitur për skenën nga mësuesja franceze Bigu. Ai është dalluar si një talent i jashtëzakonshëm në piano që në moshën 9 vjeçare kur në të njëjtën kohë shoqëron me piano korin e vashave. Në vitet që pasojnë Boris Plumbi do ishte nxënës i pianistes së madhe Lola Gjoka, e cila ishte kthyer në vitin 1932 nga Rusia, prej saj mësovi shumë elemetë të pianofortit.

Në vitin 1934 do të hyjë më thellë në studimet e pianos pranë mësueses franceze Bigu e cila ishte diplomuar për muzikë në konservatorin e Parisit, ndërsa më vonë do të kompletojë personalitetin e tij muzikor pranë një profesori francez, te quajtur Zhak Vinkler, që ishte profesori i literaturës franceze në Liceun e Korçës dhe shoqërues i Tefta Tashko Koços në piano.

Boris Plumbi studimet nga Liceu Francez i përfundon në vitin 1943.Pas largimit të Wincler më 1939-ën, mori mësime të tjera nga Tonin Guraziu që kishte studiuar në Itali. Ndërkohë gjithë këto vite deri në ndalimin e ngjarjeve artistike në 1939 pas imponimit të regjimit fashist në Shqipëri ai ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe shfaqjet muzikore që organizoheshin në qytetin e Korcës. Shtëpia e Kulturës dhe koncertet e Radio Korçës e stabilizojnë atë në rrethet artistike të kohës.

Gjatë luftës ishte pjesë e korit ilegal “Lira”. Në këtë kohë shkroi në nota këngët për Dhora Lekën dhe më pas u dallua si pianisti kryesor në Ansamblin Ushtaraκ pranë të madhin Gaqo Avrazi. Për shumë vite ka drejtuar sektorin e muzikës në Radio Korça dhe në Pallatin e Kulturës, ngriti dhe drejtoi grupe muzikore e amatore në qytet.

Pas çlirimi e deri në vitin 1955 ai ishte drejtuesi kryesor i pallatit të kulturës së Korçës, ndërsa në të njëjtën kohë ishte edhe pianisti kryesor i të gjithë solistëve të Radio Korçës të asaj kohe, si: Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Piro Sulioti, Anida Take, Keti Cico, Pavlina Nikaj etj. Thuhet se ai ka luajtur në mbi 2000 koncerte dhe ishte vendosur si një muzikant kryesor në qytetin e Korçës.

Në vitin 1954 me rastin e 10-vjetorit të çlirimit të Shipërisë, Pallati i Kulturës në Korçë, do të vinte në skenë operetën e parë shqiptare “AGIMI” me muzikë të Kristo Konos; Libret të Kolë Jakovës; Regji të Sokrat Mios; Udhëheqës Artistik Mihal Çikon dhe me Skenografi të Vangjush Mios. Ai ka udhëhequr personalisht përgatitjen artistike të operetës ku protagonist ishte Piro Sulioti, Gaqo Jorganxhi etj. Ai ka bërë të njëjtën gjë në një numër krijimesh si operën “Lulja e kujtimit” të Kristo Konos, Operetën “Sëbashku jeta është këngë” operetën “Lugina e artë” etj.

Νë periudhën 1958 fama e tij arrin në organet partiake të kohës, të cilat e transferojnë në Teatrin e Operas dhe Baletit si koncert-maester dhe si solist në të gjitha ngjarjet artistike të kohës, ku do të punojë me korifenjtë e muzikës lirike, si Jorgji Truja, Marie Kraja , Avni & Nina Mula, Ibrahim Tukiçi, Xhon Athanasi etj.

Gjatë vieteve 1959-1962 ai interpreton në një seri koncertesh dhe festivalesh në vendet e ish Kampit Lindor ku dhe fiton vendin e parë në Moskë. Puna e tij është e mrekullueshme pasi ai ka krijuar pjesë pianistike, vokale, romanca, këngë të lehta dhe opereta fëmijësh si “Fluturat”. Në vitin 1962, arrestohet në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe dënohet me 6 vjet, i akuzuar si njeri me pikëpamje perëndimore. Lirohet pas 4 vjet burg, por regjimi autoritar nuk i lejon të kthehej në profesion.

Në vitin 1967 ai u kthye në qytetin e Korçës ku kreu rehabilitimin për dy vjet në fabrikën e qelqit dhe në vitin 1970 u kthye në Shtëpinë e Kulturës dhe në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” ku shoqëronte maturantët. Nën vështrimin e palëkundur të Partisë-Shtet dhe nën presionin e ngushtë të entitetit artistik të qytetit, gjatë viteve 1980 Boris Plumbi gradualisht do të kthehen në koncerte të ndryshme duke fituar në maksimum shkëlqimin e humbur.

Por kthimi në ngjarjet muzikore nuk do të zgjasë shumë, pasi që nga dalja në pension, më 1983-shin, mekanizmi i partisë do ta eleminonte përsëri nga kudo, fakt që do i kushtonte shumë. Për Boris Plumbin as vitet post-socialiste nuk e rehabilituan padrejtësinë e bërë ndaj tij, sidomos nëse merret parasysh fakti se deri në vitin 2005 asnjëherë nuk iu dha mundësia të merrte pjesë në një ngjarje muzikore, duke përjashtuar pjesëmarrjet miqësore në 75 vjetorin e lindjes së Piro Suliotit dhe Pavllo Shollës.

Më në fund arriti të rikthehej më 4 qershor 2005 në skenë me një recital në Shtëpinë e Kulturës në Korçë “Vangjush Mio” ndërsa në tetor do ishte i ftuari special i Zhani Cikos për një çaj muzikor në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në moshen 83-vjecare, Boris Plumbi interpretoi pa partiture koncertin e fundit të jetës së tij, ndersa dy muaj më parë mori çmimin e parë dhe shumë të vonuar në jetën e tij artistike, atë të karrieres për qytetin e Korçës.

Personalisht, ndjehem shumë i ngarkuar emocionalisht duke shkruar këtë tekst, nga njëra anë sepse kisha nderin të isha ndoshta nga nxënësit tij të fundit në piano dhe nga ana tjetër, sepse ai më dha qenin tim të parë, Rudin, një qen që morra i vogël dhe që mund të them gojëplot që u rritëm bashkë për afro 16 vjet. Sot, pas kaq shumë vitesh, e kuptoj plotësisht atë qetësi që rrezatonte së bashku me melankolinë që i përshkruanin sytë. Boris Plumbi ishte një talent i madh që u dënua si shumë të tjerë padrejtësisht, një shpirt artistik që jetoi në lëkurën e tij marrëzitë e një regjimi totalitar duke paguar shtrenjtë çmimin e artit. Arti dhe shteti i detyrohen shumë..

 

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments