KreuPe KorceDashuri, mall, përgjërim.../nga perlat e Agim Xhafkës

Dashuri, mall, përgjërim…/nga perlat e Agim Xhafkës

Avionët nuk i kam frikë. I kam inat.Udhëtoj shpesh dhe më ka ndodhur që për në USA të qëndroj me kënaqësi deri 14 orë në sedilje e të sodis akujt e oqeanit.

Nuk mërzitem. Argëtohem e emocionohem, por inat i kam kur i shoh.Dhe ja sepse.

Unë kam dy vajza binjake dhe kur ishin 16 vjeç i nisa me studime në Amerikë.Të mbaronin atje shkollën e mesme dhe po atje të bënin studimet universitare.

Një ditë gushti i hypën avionit në Rinas e kur po ngjiteshin drejt reve u bëra pishman,doja që piloti të kthehej.Të më sillte vajzat se m’u duk se m’i rrëmbyen.U vara tek kangjellat e pistës e kthimi në shtëpi ishte si një ecje nëpër baltë. Më ngecnin këmbët,nuk çapitesha dot.Sa hyra vrap tek dhoma e tyre.Si i marrë pandehja se do i gjeja duke mësuar e do më prisnin duke qeshur.Si gjithnjë.Por ato ncuk.Ishin mbi qiejt e Evropës ato çaste…

Atëhere me gruan nisëm vajin e rëndë,gulçet e zemrave që i godet malli.Nuk rreshtëm deri sa të nesërmen ato na lajmëruan se mbërritën mirë.Kështu ikën vitet e shkollës,graduimi,martesat e vajzave.
Pra pata fëmijë,por nuk u ngopa me fëmijërinë e tyre.Nuk i njoha e iu gjenda pranë në një segment të jetës.Si një ëmbëlsirë që serviret pa shèrbetin e vet.
Ndaj sa shoh aeroplan më ngrysen vetullat.Se më duket sikur tani do më marrin nipërit e mbesat.Por jam bërë gati.I kam mundësitë të gjendem ku do ikin ata…

Do u shkoj pas.Nuk do lejoj të m’i marrin peng.Majë oqeanit më keni,o avionë grabitqarë.

Agim Xhafka

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit