Dënohet me 1 vit e 4 muaj burg ish drejtuesi i RTSH Thoma Gëllçi, për abuzim me tendera, ndërkohë që pothuajse të gjitha mediat kryesore akuzohen përditë për përfitime të paligjshme financiare.
Ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi është dënuar nga GJKKO me dy vite burg, për shkak të një abuzimi me tenderin për RTSH Agro.
Por Gëllçi përfiton nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur kështu dënimi në 1 vit e 4 muaj. Po ashtu, ai nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vitet e ardhshme.
Ndërkohë, tre të akuzuarit e tjerë për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, u dënuan me nga një vit burg.
Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të KVO u arrestuan nga SPAK pasi dyshohet se kishin kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, për blerjen e materialeve për hapjen e kanalit RTSH Agro.
Thoma Gëllçi gjatë dëshmisë së tij para prokurorëve ka thene se e ka bërë zgjatje të kontratës me kompaninë, duke nënvizuar faktin është një procedurë që e parashikon ligji i prokurimit.
Ai ka mohuar kategorikisht që të jetë abuzuar me fondin prej rreth 87 milionë Lekësh për hapjen e kanalit RTSH Agro.
Avokati mbrojtës i Gëllçit, Dorian Matlija, u shpreh se vendimi i sotëm i gjykatës, kënaq gjyqin popullor që iu bë klientit të tij, por nuk jep drejtësi.
“Kjo është një gjykatë popullore, ku duan të kënaqin njerëzit për konsum publik, është një çështje që mund të vendosë në rrezik zyrtarë të lartë, shteti nuk mund të funksionojë në këtë lloj mëyre. Do të kemi një rrugë të gjatë drejt pafajësisë. Është bërë një presion shumë i madh, që të ketë rezultate. Ka njerëz që kanë interes personal për dënimin e Thoma Gëllçit”, tha për mediat avokati Matlija.
@NewsIn.Al

