Deri ku mund të shkohet me humor? Kjo është pyetja e ditës sot, pas shpullës që Will Smith, i futi Kris Rokut, të cilën e shoqëroi me paralajmërimin që mos t’i zinte të shoqen me gojë, dhe debatet që e shoqëruan atë veprim.
Ata që merren me humorin e ndajnë atë në humor të bardhë (normal) dhe në humor të zi!
Pyetja që shtrohet: A duhet të ketë ndonjë cak, apo gjithçka duhet të jetë e lirë dhe pa asnjë limit? Ti mund të thuash çfarë të duash dhe tjetri duhet të durojë, sepse jetokemi në një kohë lirie absolute dhe në fund të fundit, po bëhet thjesht humor?
Opinionet janë të ndryshme për arsye se vetë njerëzit kanë botëkuptime të ndryshme.
Unë mendoj që liria nuk mund të jetë pa kufij! Ndryshe kthehet në anarki.
Unë mendoj që duhet të ketë një cak, një kufi, sepse përndryshe kjo botë i bie të shndërrohet në një mullar të madh plehërash, ku secili mund të hedhë plehërat e tij, si t’i teket, ku t’i teket e kur t’i teket.
Unë mendoj që liria nuk është rendi universal që e mban botën në ekuilibër, përkundrazi mendoj të ekuilibri i çdo shoqërie vjen nga harmonia midis lirisë dhe pengimit, midis divergjencës dhe konvergjencës, midis anarkisë dhe diktaturës, midis tërheqjes dhe shtytjes… Gjetja e ekulilibrit, e të mesmes së përpjesshme, apo harmonisë midis tyre na sjell në rend, përndryshe do të përfundonim në anarki, ose në kaos.
Teodor Osoja
@NewsIn.Al

