Dilema e ditës së sotme
Portokalle n’koshere apo koshere portokallesh
Të kuptohemi, argëtohem pak, ose thuajse aspak me përpëlitje-përpjekjet e mundimshme të programeve tona të humorit për të na bërë për të qeshur, por skenari i skeçeve, përmbajtja e tyre, shfrytëzimi edhe aty i politikës, (megjithëse na kanë ardhur në majë të hundës prime-time/t) i kulturave dhe traditave lokaliste etj, janë argumente që duan ditë e net të tëra diskutimesh të gjata.
Mungesa e etikës: ajo është që më ka bezdisur ditët e fundit, kur kam pasur më shumë kohë të lexoj online apo të shoh copëza televizive aty-këtu. Së fundmi lexova bujën që bëri në rrjet një postim i aktorit të Portokalli-së, Rezart Veleshnja, i cili akuzonte hapur për plagjiaturë ish regjisorin e “Portokallisë”, Altin Basha, tani, në një iniciativë të ngjashme, “Kosherja” në ABC.
Personalisht mendoj se nuk e bëri Altin Basha Portokalli-në, as trupa nuk e bëri, por të gjithë bashkë, ata që janë, që kanë qenë që prej ditës një, dhanë e morën nga njëri-tjetri, energji, përvojë, talent dhe bënë sëbashku Portokalli-në, e cila nga ana e vet, përfshirë fuqinë e një mediumi si Top Channel, ua ktheu duke i bërë personazhë të famshëm, të njohur, të kërkuar, të mirëpaguar. (Druaj të shkoj nëpër mend kush dhe sa do ishte secili prej tyre pa Portokalli dhe Top Channel, si shumë të tjerë pa TOP-in, përfshirë mua vetë)
Nisur nga ky këndvështrim i thjeshtë, pa gjykime, paragjykime dhe hedhje fallesh, unë nuk di dhe s’e provoj dot a ka vjedhje dhe kush vodhi kë, (se mund të ketë nga ata që mund të thonë se Portokallia ishte Basha, e nëse ai ka vjedhur aty, një pjesë të vetes ka vjedhur/ përsëritur), por ajo që më ka bërë përshtypje është vlerësimi i aktorëve të Portokalli-së, përfshirë Veleshnjën ndaj Altin Bashës, në daljet e tyre publike që lartësimi i figurës së regjisorit Basha dhe lavdet ndaj profesionalizmit të tij, u bënë rutinë bezdisëse për veshët tanë si teleshikues.
Duke pasur kujtesë (pa modesti) të admirueshmë, një kërkim i thjeshtë, më nxori disa intervista të aktorit Rezart Veleshnja, ku po citoj vetëm disa prej tyre:

“Në ka një kokë regjie që është shumë e fortë, është ajo e Bashës. … Aktorët janë kudo njësoj. Regjia bën diferencën”- Wake Up- Top Channel
“Suksesi nuk është i imi, është i të gjithëve. Trupa është kompakte dhe kemi fatin të kemi të vetmin regjisor të mirëfilltë, të paktën këto 15 vjetët e fundit… punën që bën Altini nuk e bën asnjë regjisor, këtë e them me plot gojën… të dalë të kundërshtojë kush të dojë….” – TAG” në Digitalb
“Me Altinin nuk bën dot kompromis… edhe vëllai i tij të jesh… të paktën edhe për nja 30 vjet nuk besoj se do të dalë ndonjë regjisor me këto karakteristika si Altini” (nuk është kështu, po nejse. Shijet janë personale dhe ato nuk diskutohen, por vetëm respektohen) “Rreze dielli”- Report Tv.
Së fundmi, Basha doli z. Shterpa, hajdut, që çfarë nuk “vjell” për pronarët e televzioneve, me të cilët bashkëpunon dhe duke mos dashur të fus duart në zjarr për askënd se s’kam asnjë arsye ta bëj, më lind natyrshëm pyetja: Këta aktorët kur kanë gënjyer: kur e shpallën “hero” të regjisë, apo tani që dezertoi dhe u shndërrua në hajdut?
Janë kaq pak njerëz që qarkullojnë në media, sa në mos një herë, një tjetër, “mali me malin mund të mos piqen, por njeriu me njerinë, po”.
Detyra e secilit është të lartësojë minutazhin e vet që ka përballë publikut, të marrë vëmendjen dhe aprovimin e tij dhe kaq.

P.S. Ky shënim nuk ka për qëllim të vendosë në dyshim punën krijuese të asnjë artisti, të asnjë trupe, të asnjë televizioni, por është thjesht një vëzhgim kronologjik, të cilin as nuk e bëj për herë të parë.

