Disa Mendime rreth festivalit “Shpirti i Ballkanit” që zhvillohet në qytetin e Korçës…
(Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti)
Është fakt i padiskutueshëm që qyteti i Korçës ka qenë, është dhe me shumë gjasa do të mbetet jep kulture, por për shkak të origjinës sime nuk dua të zgjerohem më tej në kontributin kulturor të qytetit. Me fjalë të tjera nuk dua ta bëj, ashtu siç themi ne në qytetin tonë “luvdome gojë se të çava”, por megjithatë, për të qënë i drejtë dhe objektiv, nuk mund të mos komentoj mbajtjen e një festivali pan-ballkanik në qytetin e Korçës, sidomos këtë vit që u zhvillua për të katërtën herë radhazi.
Ne që patëm fatin dhe bekimin të rriteshim në korridoret e ish Pallatit të Kulturës ose “anash” skenës së Teatrit A. Z. Çajupi dhe u takuam sadopak me figurat e fundit të gjeneratës së mëparshme, njohim ndoshta brengën më të rëndësishme por dhe amanetin e fundit të gjithë atij brezi. Përtej parave (që sigurisht është një faktor shumë i rëndësishëm për artin), përtej kushteve të punës, përtej vështirësive me të cilat përballeshin nga regjimi i dikurshëm , mungonte kryesisht kontakti me jashtë, një barë e madhe që kanë mbartur dhjetëra artistë mbi supe në këtë vend. Më kujtohet si tani kur shoqëroja korin Lyra si përkthyes në udhëtime të ndryshme në Greqi, sa të ndryshëm ishin tanët dhe sa nevojë kishin për kontaktin me jashtë.

Por kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me to kemi ndryshuar dhe ne, si njerëz, si shoqëri, si mentalitet dhe si mënyrë jetese deri në atë pike, sa shumë herë na ndodhin gjëra të pabesueshme. Para pak ditësh dhe pothuajse njëzet vjet më vonë, historia ndryshoi rolet si për çudi edhe tek mua personalisht, kur ra telefoni dhe ishte koreografi Janis Konstantinu i Ansamblit të valleve të Follorinës, qytetit që jam rritur dhe kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime. Koreografi dhe kapiteni i grupit më kërkoi ta shoqëroja në qytetin tim, gjë që e bëra me shumë kënaqësi. Për mua bota ishte kthyer përmbys, Korça jo vetëm që ia kishte dalë të organizonte për tre vjet radhazi një festival mbarëballkanik në zemrën e saj, por më priste që të vija me Ansamblin grek.
Festivali panballkanik i valleve tradicionale “Shpirti i Ballkanit”, është tashmë një institucion kulturor i njohur në të gjitha vendet e tjera të Gadishullit Ballkanik. Kjo ndodh pasi çdo vit i bashkohen Ansamblet më të mira të këngëve & vallëve të shteteve të Ballkanit. Vlen të theksohet se qëllimi kryesor i festivalit është kultivimi i lidhjeve miqësore mes vendeve pjesëmarrëse, zhvillimi i komunikimit dhe shkëmbimi i elementeve folklorike që kanë popujt.
Festivali i këtij viti, u hap të shtunën, më 20 maj, me një paradë spektakolare të të gjithë grupeve pjesëmarrëse në rrugët kryesore të qytetit, duke na ofruar një spektakël të pasur me disa eksperienca unike, që një qytet i vogël ballkanik rrallë mund ta ofrojë. Parada përfundoi në “Sheshin e Pazarit” ku të gjithë valltarët e Ansambleve u kapën dorë për dore dhe kërcyen një sërë vallesh ballkanike, duke dëshmuar në praktikë se elementet që i bashkojnë janë më shumë se elementet që i ndajnë. Vallet vazhduan afër tre orë në një rreth “të madh”, me kërcime ekspresive ballkanike dhe kostume shumëngjyrëshe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa u dëgjuan nga altoparlantët edhe motive vallesh nga Bullgaria dhe Turqia që sivjet nuk arritën dot të merrnin pjesë. Një ngjarje mahnitëse dhe unike me vlera historike për miqësinë dhe bashkëpunimin e Ballkanit, nëse merrim parasysh konfliktet historike ndërmjet disa shteteve dhe mosmarrëveshjet e tyre politike. Sidomos sot, që kërcënimi i luftës rezonon fuqishëm në veshët e Evropës.
Gjithashtu, festivali vazhdoi edhe të dielën, më 21 maj, në Teatrin A. Z. Çajupi, ku të gjashtë ansamblet konkurruan para publikut që kishte pushtuar sallën dhe jurisë, e cila përbëhej nga Kompozitori Arjan Avrazi, nga Kompozitori Josif Minga, nga valltari i Ansamblit Kombëtar dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në FIDAF Gëzim Alimehmeti dhe Muzikologu Pandi Bello. Perdet u hapën nga mikpritësit, Ansambli historik Skënderbeu i Korçës që ndriçuan skenën nën koreografinë e Bardhi Pojanit. Lëvizjet e tyre ishin të lakmueshme duke vazhduar traditën e qytetit. Burrat i lanë përshtypje shumë positive audiencës, veçanërisht duke pasur parasysh moshën e tyre të re.
Pasoi Bosnja dhe Hercegovina me Ansalmbin miks “Kud Visoko” të cilët kërcyen të ndarë në dy grupe të ndryshme me burra dhe gra. Vallet e tyre ishin nga tradita e boshnjakëve muslimanë të Bosnjës qendrore dhe nga kroatët e Bosnjës perëndimore. Greqia u shfaq e treta me Ansamblin “Ligistes” nga Follorina, i vetmi vend që kishte një Ansambël ekskluzivisht femëror me valle burimore të rajonit të Maqedonisë perëndimore nën tingujt e instrumenteve muzikore prej bronzi, koreograf ishte Janis Konstantinu.
E katërta ishte Kosova, e cila rezervoi hyrjen më spektakolare në skenë duke bërë që e gjithë salla të shpërthejë në duartrokitje. Ansambli i Kosovës “Lidhja e Prizrenit” përgatitur nga koreografi Jeton Qafleshi. Pa diskutim ra në sy solisti Fari Berisha që u diskutua më shumë se kushdo tjetër në hollin e teatrit nga nga publiku i gjerë, siç ndodh zakonisht në raste të tilla. Pavarësisht moshës së re, Berisha duket se e ka të hapur rrugën për të pushtuar majat në Shqipëri dhe Kosovë.
Të fundit u shfaqën dy vendet që dhanë betejën për vendin e parë duke ndarë audiencën dhe jurinë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Mali i Zi u shfaq me Ansamblin “Folklorni Ansambli KIC-a ‘Budo Tomovic-Podgorica” nën koreografinë e zotit Emin Decevic. Mali i Zi zgjodhi të vinte në skenë 8 çifte me burra dhe gra, të cilët jo vetëm që kërcyen në nivel absolutisht profesional por edhe kënduan. Ata dëshmuan në gjithë sallën se ishin plotësisht të formuar profesionalisht duke na dhuruar një spektakël të veçantë, që nga vallja tradicionale e çiftëzimit, tek burrat që ecnin të bashkuar në një rreth me burra të tjerë mbi supe e deri tek tingujt që bënin në mënyrë ritmike dhe melodike me këmbët e tyre në skenë, pa asnjë gjurmë muzike. Për mua këta ishin fituesit e festivalit.
Por juria gjykoi me tjetër kriter, pasi vendi që u shfaq i fundit u kurorëzua fitues. Çmimin e parë e fitoi Maqedonia e Veriut që u përfaqësua nga ‘Ansamble Studio Folklor Skopje” nën drejtimin e një valltari të madh të vendit fqinj, solistit të Ansamblit Kombëtar Ljubco Manevski, fama e të cilit ka kapërcyer kufijtë e vendit. Në këtë kontekst edhe studentët e tij nuk mund të ishin ndryshe. Valltarët e Shkupit ishin më të rinjtë se gjithë të tjerët duke i dhuruan publikut një performancë të mrekullueshme me shpejtësi dhe sinkronizim, që shpesh dukeshin si “robotë me kostum’ tradicional. Të pakapshëm në skenë dhe me gjelbërim të përhershëm, fituan me të drejtë vendin e parë. Megjithatë, pavarësisht çmimit të parë, fitues për mua janë të gjithë pjesëmarrësit dhe mbi të gjitha paqja dhe miqësia e popujve.
Pra, qyteti i Korçës, dëshmoi haptas origjinën e tij urbane, mirësjelljen dhe mikpritjen. Dëshmoi edhe për një herë tjetër se mund të qëndrojë në këmbët e veta për të organizuar evente ndërkombëtare, pasi ka edhe njohuritë edhe reputacionin. Qyteti hapet çdo ditë e më shumë përtej kufijve hermetikë të Shqipërisë. Korça po fiton popullaritet dhe po fillon të shfaqet mes kryeqyteteve kulturore të Evropës lindore. Kjo nxjerr në pah punën e bërë nga brezat e mëparshëm të artistëve (pavarësisht nëse ata morrën përvërtetimin nga historia, gjë që shumë herë nuk ka arritur të ndodhë) punën që bënë të tashmet dhe sigurisht kërkon edukimin e brezit të ardhshëm, i cili do të thirret të ruajë trashëgiminë e madhe në shpinë. Prandaj institucionet shtetërore duhet të mbështesin më shumë përpjekjen artistike të qytetit tonë, me çdo lloj ndihme. Në fund të fundit, ata ia kanë borxh këtij qyteti.

“Shpirti i Ballkanit” edhe një herë tregoi mesazhin bashkues të artit dhe kulturës. Mirënjohje organizatorëve Blerta Belliu, Bardhi Pojani.
@NewsIn.Al

