KreuAktualitetiDuket sikur lufta është te dera nëse hapet ura mbi Ibër në...

Duket sikur lufta është te dera nëse hapet ura mbi Ibër në Mitrovicë për të qarkulluar makinat.

Duket sikur lufta është te dera nëse hapet ura mbi Ibër në Mitrovicë për të qarkulluar makinat. Ne themi se duhet hapur sepse është simbol i ndarjes. Edhe pse ka ura të tjera për makinat, kjo duhet hapur, për të treguar se shteti është shtet nga cepi në cep.
Po të dëgjoje serbët që dolën në protestë përpara pak ditësh, ura shihet si simbol për të treguar ku ndalon tentativa për t’i shpërngulur ata. Folësit ishin njerëz me emër dhe mbajtën fjalime të zjarrëta. Të vetmit që nuk folën nga ana e serbëve janë ata që dikur Vetëvendosja i kërkonte për të nisur dialogun nga poshtë – serbët e varfër, të shantazhuar, të frikësuar dhe që Beogradi nuk i pranon e Prishtina s’po i integron dot.
Statistika se sa të ardhura kanë, zor se gjen. Po të duam të dimë, për shembull, çfarë shqetësimesh kanë, ç’ probleme familjare kanë, nga çfarë sëmundjesh vuajnë, a lindin dot fëmijë apo jo, kanë për të ngrënë apo marrin borxh për të shtyrë muajin? Na thonë se ura duhet hapur, ura s’duhet hapur, ura duhet hapur në konsulta me ndërkombëtarët. Po, e dimë që duhet hapur. Sërish, për interes publik dhe satistika, sa investime, rrugë, shkolla dhe çerdhe janë bërë gjatë 5 viteve të fundit? Po ai dialogu i famshëm nga poshtë pse nuk nisi kurrë? Lexova disa artikuj se si disa kafene ishin investime serioze në veri të vendit. Kafenetë janë investime serioze.

Ndërkombëtarët

Amerikanët thonë se nuk duhet hapur ura. Ka rrezik për ushtarët tanë, thonë. Madje, reagoi deri edhe NATO se ura është rrezik sigurie. Një urë rrezik sigurie!!! Ec e merre me mend se çfarë rreziku ka hapja e një ure. Pastaj më zuri syri vajtjen e Aleksandër Vulinit në Moskë. Ish-shefi i shërbimit sekret serb është shpallur non-grata nga amerikanët. Rusët i thanë se kanë informacione se ka tentativa për grusht shteti në Serbi. Vuçiqi nga krahu tjetër akuzon Albin Kurtin se do që të fusë në luftë Serbinë me NATO-n. Vulini në Moskë shkon për të marrë udhëzime dhe për të çuar lajme. Edhe ky duhet të jetë shqetësim amerikan, jo vetëm ura jonë në Mitrovicë.
Po e mendoja se si mund të kthehet në problem sigurie një urë në një cep të Ballkanit?! Rusia ka thënë prej kohësh se do dërgojë edhe ajo armë te aleatët, siç çon perëndimi në Ukrainë. Merremi gjithë ditën me Iranin dhe Kubën dhe harrojmë se Serbia është aleate e Rusisë. Tani që Ukraina hyri në Rusi, situata është ndërlikuar shumë. Nga vend i pushtuar është bërë pushtues. Ndryshon narrativa qëndrore. Rusia thotë se ka parë tanke amerikane dhe britanike në territorin e vet. Po mendoja, po sikur, për shembull, ky kërcënimi i sigurisë të jetë se baza ruse në Nish po përgatit ndonjë tensionim të situatës në rajon me agjenturën e vet, teksa amerikanët i thonë Kurtit mos i jep shkas tani që të ndizet situata…

Unë mendoj se ura duhet të çelet edhe për të qarkulluar makinat, thjesht këtë kërcënimin që përbën ajo urë për rajonin dhe NATO-n s’e kam kuptuar ende dhe nuk e di pse nuk na e shpjegon zoti Kurti për transparencë se si e përballojmë ne këtë kërcënim nëse është real. Po qe se nuk është, atëherë le të qeshim pak me amerikanët që tremben nga Serbia, apo janë lepe peqe të Beogradit në rajon.

Opinion nga Sebastian Zonja

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit