Me akuza, fyerje, refrene të përsëritura, etiketime banale u hap përsëri takimi i radhës i z.Berisha në Korçë.
Është dëshpëruese kur sheh pas 30 vitesh njerëz që ende shpresojnë tek këta politikanë për të sjellë ndryshimin. Presin ndryshimin nga shkatërrimtarët e kombit, presin ndryshimin nga e vjetra. Shoh njerëz që çdo ditë bërtasin se duan ndryshim dhe në fund rendin dhe ndjekin të njëjtat figura të vjetra, figura këto të lodhura të cilat nuk prodhojnë asnjë risi, dhe nuk u krijojnë hapësira figurave të reja por i shtypin dhe ato pak që tentojnë të dalin në dritën e diellit.
Si është e mundur që ky vend i vogël i quajtur Shqipëri nuk u vendos veton këtyre politikanëve dhe nuk është i aftë të prodhojë ose mbështesë politikanë të rinj, figura dinjitoze, figura që sjellin ndryshim nëpërmjet veprave dhe ideologjive të tyre?
Shqipëria sot nuk është në ditët e saj më të këqija, por është larg të qënit një vend normal. Lëngon nga të katër anët, problemet thuajse janë prezente në çdo fushë, arsim, shëndetësi, ekonomi, drejtësi, media.
Vendi nuk ka opozitë, nuk ka politikanë që të sillen si opozitarë dhe të vendosin kundërshtarët para përgjegjësisë, nuk ka qeveri të përgjegjshme. Shqipëria i ngjan një peshoreje të prishur dhe të palëvizshme, me qeverinë që çdo ditë e më shumë gëzon pushtet absolut dhe vazhdimisht abuzon me të dhe një opozitë të dërrmuar në duart e një Don Kishoti, që nuk do e nuk do ta lëshojë atë por e heq pafundësisht zvarrë. Vendit i nevojitet dëshpërimisht një politikë e mirë, qeverisje produktive dhe një opozitë e fortë. Pakënaqësitë në popull po arrijnë kulmin, nuk ka frymë, nuk ka optimizëm, nuk ka shpresë dhe populli po i dorëzohet dita ditës realitetit të vështirë që po jetojmë.
Askush nuk flet për problemet e vërteta të vendit, kohën televizive e zaptojnë çdo ditë tufa e zakonshme e hijenave 30 vjeçare që e kanë përçudnuar këtë popull vite të tëra. Hapësira televizive u kushtohet çështjeve pa rëndësi si Presidenti i ardhshëm apo replikat bajate PD-PD ose PD–PS. Çfarë bëjnë politikanët tanë? Atyre që u besohet vota dhe që zgjidhen për të na përfaqësuar në parlament, qeveri e opozitë dhe për të përcjellë aty shqetësimet e qytetarëve? Ku ndodhen sot këta politikanë? Në krah të popullit jo e jo.
Koha ka ndalur, nuk po ecim drejt të ardhmes por drejt të shkuarës. Kemi nevojë ulëritëse për ndryshim përpara se të jetë shumë vonë, dhe të shndërrohemi në robotë duke mos na bërë më përshtypje asgjë, e mirë apo e keqe nga forcat tona politike. Kemi nevojë ulëritëse për figura të reja, që të mos e shohin politikën si mjet për përfitime personale por si mjet nëpërmjet të cilit të përfitojë vendi, shoqëria. Kjo kastë 30 vjeçare politike ka shkatërruar e shkelur gjithçka, parimet, moralin, meritokracinë, nuk ka asnjë ideologji, por vetëm një synim: sigurimin e vetes duke vrarë vendin.
Edhe sa kohë do vazhdojmë ti nënshtrohemi realitetit? Edhe sa kohë do mbyllim sytë e do bëjmë sikur nuk shikojmë, e dëgjojmë? Edhe sa kohë do presim ndryshimin nga rraqet e vjetra në vend që të mbështesim më të mirët, më të përkushtuarit dhe më të ndershmit? Edhe sa kohë do i lejojmë këta politikanë të na përdorin si kavje? Fatkeqësisht vetëm emrin kemi popull, se nuk funksionojmë si popull, si një organizëm i vetëm dhe i fortë dhe harrojmë se në këtë jetë nuk ka pushtet të frikshëm, ka popuj të frikshëm kur thika shkon në kockë.
Emili Bibolli
@NewsIn.Al
