HomeAktualitetiErget Cenolli -“BORXHET” NDAJ KRISTO FLOQIT

Erget Cenolli -“BORXHET” NDAJ KRISTO FLOQIT

“BORXHET” NDAJ KRISTO FLOQIT

Vendimi i Këshillit Bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar nderi” zotëri Kristo Floqit, është një vendim shumëpritur nga qytetarët dhe inteligjenca korçare. Ky titull besoj se ka marrë fillesën nga studimi monografik i profesore Jonela Spahos për këtë shkrimtar dhe atdhetar të shquar.
Si gjithë inteligjenca nacionaliste, Kristo Floqi u la në harresë të plotë në peridhën e komunizmit, ndonëse me merita të shumta në shkrimtari, gazetari, jurisprudencë, arsim, etnografi etj. etj. Para dy ditësh hodha idenë (gjë që e kam hedhur të paktën që 20-vite më parë), që teatri i qytetit duhet të mbajë emrin “Kristo Floqi”, jo se A. Z. Çajupi nuk është një shkrimtar i mirë dhe atdhetar i nderuar, por sespe zotëri Floqi ka një bibliotekë të tërë me vepra letrare, kryesisht në gjininë dramatike dhe vetëm vepra “Epopeja e Korçës”, është e mjaftueshme për ta nderuar. Meqë një sërë fanatikësh mendojnë se emri i teatrit nuk mund të ndryshohet atëhere me emrin e tij mund të shënohen institucione arsimore apo të tjera vendore, pasi kjo figurë emblematike për inteligjencën elitare korçare ka ushtruar detyura të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme në periudha nga më kyçet për historinë e Shqipërisë. Zotëri Floqi ka qenë Ministër Arsimi, në qeverinë e Iliaz bej Vrionit, më 1921. Një ndër të parët juristë (i studiuar në Athinë), që hapi zyrë avokatie në Korçë. Mandej në lëmë të publicistikës drejtues i gazetës “Dielli” dhe i disa gazetave të tjera deri në vitet ’30 të shekullit 20-të. Që më 1913 kryetar i gjykatës penale e civile; më pas bashkëpunëtor i Faik Konicës.
Gjithë meritat dhe aftësitë që shënuam më sipër (mbase kemi harruar disa), bëjnë që të na vijë keq që kjo figurë shumëplanëshe të mos nderohet sa i takon dhe të gëzohemi që më në fund merr një titull të lartë.
Dua ta mbyll këtë shënim me shpresën se emri i Kristo Floqit do të shënohet në emërtimin e një institucioni të rëndësishëm, jo vetëm në Korçë, pasi ai ka pasur detyra dhe përfaqësime edhe në qytete të tjera, si Dibër (ku ka qenë edhe deputet), në Tiranë, ku përveç posteve shtetërore ka pasur zyrë avokatie, duhet të nderohet edhe me një bust; shtëpia e tij të restaurohet dhe të kthehet në muze; vepra e tij të botohet e plotë në disa vëllime dinjitoze. Kjo vepër të bëhet e njohur nga nxënësit e shkollave në Shqipëri e Kosovë, pasi edhe për këtë të fundit ka shkruar një vepër të rëndësishme.
Titulli “Qytetar nderi” le të shërbejë si fillim i ndriçimit dhe vlerësimit të Kristo Floqit.

Erget Cenolli

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments