Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit.
Sipas njoftimit të Presidencës, emri i Hasanit është propozuar nga kryeministri Edi Rama. Ajo vjen në këtë detyrë pas një karriere në administratën publike dhe në fushën e kërkimit, arsimit dhe menaxhimit të projekteve.
Para emërimit, Hasani ka shërbyer si këshilltare pranë Kryeministrisë. Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e strukturave të SHISH-it, ku ka drejtuar Departamentin e Mbështetjes.
Hasani është diplomuar në Drejtësi Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe ka përfunduar studimet Master në Planifikimin dhe Zhvillimin e Projekteve në Innovation Business School në Bruksel.
Përvoja e saj profesionale përfshin mësimdhënien në fushën e së Drejtës Evropiane, menaxhimin e projekteve dhe angazhimin në iniciativa kërkimore e inovative në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nga shtatori 2015 deri në shtator 2019, ajo ka drejtuar Institutin Barleti për Kërkim dhe Zhvillim. Ndërkohë, nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, ka qenë pjesë e kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, në cilësinë e këshilltares dhe shefes së kabinetit.
Ajo është gjithashtu eksperte e pavarur e Komisionit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe ideatore dhe autore e projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”.
Që prej shtatorit 2019, Hasani drejton Institutin Adriapol – Rritje e Mençur dhe Kreative. Së fundmi, është përzgjedhur nga Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.
Prej vitit 2021, sipas të dhënave të publikuara në profilin e saj profesional, ajo ka ushtruar funksionin e konsulentes pranë Kryeministrisë, me fokus planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve. Ka qenë gjithashtu e angazhuar në bashkëpunime dhe iniciativa ndërkombëtare.
Edhe pse karriera e saj publike lidhet kryesisht me drejtësinë, projektet dhe administratën, Hasani ka pasur edhe angazhime në studime që prekin fushën e sigurisë.
Në janar të vitit 2023, ajo rezulton bashkautore e një studimi mbi kuadrin ligjor dhe institucional të Shqipërisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në hapësirën kibernetike. Studimi është realizuar në bashkëpunim me Edlira Gjolleshin dhe Saimir Kapllanin.(Shekulli)
@NewsIn.Al

