🇲🇪 Dënohet me burg në Shqipëri, Dajković: Nuk do të dorëzohem vullnetarisht!
Kryetari i partisë “Mali i Zi i Lirë”, Vladislav Dajković, pretendon se është dënuar me tre vite burg nga një gjykatë shqiptare për një fotografi të publikuar gjashtë vite më parë në Shkodër, ku shfaqej me flamurin trengjyrësh malazez dhe mesazhin: “Përshëndetje nga Shkodra e lashtë serbe”.
Ai e cilëson procesin të motivuar politikisht dhe pretendon se nuk ka fyer apo kërcënuar askënd, por ka shprehur ato që i quan fakte historike. Sipas tij, dënimi është ulur në një vit burg.
Dajković thotë se nuk do të paraqitet në Shkodër për të përfituar një dënim me kusht, pasi pretendon se rrezikon të arrestohet menjëherë sapo të kalojë kufirin.
“Jam i sigurt se nga ai paraburgim do të dilja në arkivol”, është shprehur ai.
Ai ka akuzuar gjithashtu autoritetet malazeze për mungesë mbështetjeje gjatë procesit pesëvjeçar dhe ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet vullnetarisht te autoritetet shqiptare.
Dajković konfirmoi se do të ankimojë vendimin e shkallës së parë.
@NewsIn.Al

