FASULJA, THJERËZA DHE KOÇKULLA DIKUR NË ZONËN E KORÇËS
Fasulja (Phasoelis vulgaris)
Korça konsiderohet si ndër zonat që ka prodhuar gjithmonë fasule të mira, të shijshme dhe të shumëllojshme. Populacionet e fasules së trevës sonë kanë qënë të shumta, madje edhe sot, një sy i hedhur në tregun fshatar, tregon për vazhdimësinë e shumëllojshmërisë së populacioneve tona për këtë bimë.
Megjithatë, këtu po paraqes përshkrimin e disa sojeve autoktone të cilat janë studiuar nga afër. Kështu, qysh më 1958 përmëndet soji, “Fasulja e Korçës”, për të cilën theksohej se ish varietet vëndi, me kokërr të bardhë, të rrafshtë e të gjatë. Përmëndet pastaj fasulja “Eçmenik”, kacavjerrëse, gjysëm e vonët, me cikël bimor 117 ditë, vetpllenuese, bishtaja shpatë, e verdhë, me kokërr në formë veshke, ngjyrë të bardhë. Përmëndet ajo e “Leshnicës”, kacavjerrëse, e hershme, me cikël bimor 107 ditë, vetpllenuese, bishtajë si shpatë, ngjyrë të verdhë në gri, kokërr si veshkë, të zezë.
Një vënd të veçantë këtu ze edhe fasulja “Pllaqi”, Phaseolis vulgaris multiflorus coccineus, dhe konkretisht soji, “Vigane e Devollit”, kacvjerrës, i vonët, me cikël bimor 122 ditë, vetpllenuese, me kokërr të madhe të bardhë.
*
Thjerrëza (Ervum Lens)
Kërkimet arkeologjike të bëra në vëndbanimin prehistorik të Maliqit, tregojnë se kjo bimë kultivohej në zonën e Korçës qysh rreth 4000 vjet më parë. Ndërsa të dhënat e vitit 1972, thonë se kjo bimë (thjerrëza, në gjuhën e Korçës quhet grosh), kultivohej kryesisht vetëm në Korçë. Megjithatë, ndonëse thuhet se tek ne gjendet në dy forma, Ervum lens macrosperma (kokërrmadhe) dhe Evrum lens microsperma, (kokërrvogël) përsëri nuk është identifikuar dhe përshkruar ndonjë populacion i caktuar. Mendimi tim në këtë aspekt është se, ende ka akoma kohë, për të bërë diçka.
*
Koçkulla (Lathyrus sativus)
Më 1972, përmëndet në literaturë se koçkulla mbillej në Korçë dhe se përdorej për kafshët si kokërr ose si njomishte, ndërsa si ushqim për njeriun përdorej mielli i koçkullës që përziehej me atë të grurit për bukë. Nuk jepen të dhëna për ndonjë populacion apo soj.

Dr. Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: Erozioni gjenetik dhe mbijetesa e sojeve,
tek bimët bujqësore të traditës, në zonën e Korçës. Bot. Kotti 2014, fq. 26-29
*
Në grafik tregohen vlerat e tre parametrave kryesore të një sërë bishtajoreve: sasia e proteinave (boshti y); sasia e firbrave bimore (boshti x); dhe sasia e hekurit jepet prej volumit të pikës në grafik.
Nga gjithë bishtajoret e paraqitura në grafik, vlerat ushqimore më të larta janë të thjerrëzës dhe më të ultat të bizeles (I.V.B.)
@NewsIn.Al

