E nderuar Kryetare e kuvendit ,
Të nderuar deputete,
Ligji 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë” (ndryshuar me ligjin nr. 90/2020) ka për qëllim vendosjen e kontrollit shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave të ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitetitin ndërkombëtar të saj, dhe garantimin e respektimit të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë.
Ky ligj rregullon kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë kontrollin, para, gjatë dhe në zbatimin e licencave apo autorizimeve të eksportit, të eksportit të përkohshëm, të importit, të importit të përkohshëm, të tranzitit, të transshipit, të veprimtarisë ndërmjetësuese dhe të asistencës teknike.
Ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, synojnë të përfshijnë parashikimet e nevojshme ligjore mbi kontrollin shtetëror të këtyre mallrave në kuadër të nevojave operacionale të vendeve të NATO-s dhe angazhimeve të këtyre vendeve ose Aleancës në luftën kundër terrorizmit apo ndihmës së aleatëve.
Gjatë viteve të fundit si rezultat i kërcënimeve të sigurisë në nivel global është kërkuar kontributi i Republikës së Shqipërisë nga vendet anëtare të NATO-s, në kuadër të luftës kundër terrorizmit ose në mbështetje të aleatëve.
Ky projektligj synon të përjashtojë nga fusha e zbatimit të këtij ligji këto raste, pasi ato do të rregullohen sipas udhëzimeve të kërkesës së vendeve të NATO-s. Në këto raste nuk mund të aplikohet sistemi i kontrollit dhe zbatimi i detyrimeve që vijnë nga ligji nr. 46/2018.
Me miratimin e këtij projektligji, Republika e Shqipërisë do të mund të kontribuojë në angazhimet ndërkombëtare në mënyre më efikase.
Nga ana tjetër me këtë projektligj, synohet të reflektohen një sërë ndryshimesh të konstatuara si të nevojshme në kuadër të Reformës së Derregullimit që lidhen veçanërisht me përmirësimin e kuadrit ligjor në funksion të ofrimit të shërbimeve në mënyrë më të shpejtë dhe efikase për marrësin e tyre.
Ligji nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, rregullon transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara nëpërmjet sistemit të licencimit dhe autorizimit.
Propozimet e tjera për ndryshimin e ligjit nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, lidhen me zgjidhjen e problematikave apo përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve që AKSHE-ja (Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eskporteve) ofron në kuadër të zbatimit të kompetencave të veta.
Evidentimi i nevojës për ndryshim dhe propozimet për ndryshime janë bërë në kuadër të Reformës së Derregullimit dhe Riinxhinierimit të Shërbimeve dhe sipas diskutimeve me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Ministrinë e Drejtësisë janë bërë ndryshimet në nenet të cilat kanë paqartësi juridike për subjektet.
Të gjitha dispozitat ku parashikohen kushte shtesë për ofrimin e shërbimit, por pa përcaktuar qartësisht dhe specifikisht kushtet për subjektet aplikuese janë shfuqizuar.
Është ndërhyrë gjithashtu në dispozitat të cilat rregullojnë të drejtën e ankimimit, duke unifikuar përcaktimin e kushteve të ushtrimit të kësaj të drejte, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Është ndërhyrë në dispozitat e ligjit për të ngarkuar Këshillin e Ministrave, në zbatim të këtij ligji, të përcaktojë kushtet, dokumentacionin, formatet, modelet e licencave, certifikatave etj.
Aktualisht të gjitha këto aspekte vendosen nga AKSHE-ja që është njëkohësisht edhe organi publik zbatues.
Gjithashtu, në kuadër të procesit të derregullimit dhe riinxhinierimit të ndjekur nga qeveria, si pasojë e ndryshimeve teknologjike të kohës, është parë e nevojshme ndërhyrja e qeverisë për të kryer disa procese online. Kjo masë synon shkurtimin e kohës dhe reduktimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke lehtësuar kështu procedurat administrative dhe rritur efikasitetin.
Faleminderit!

@NewsIn.Al

