Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në partneritet me Fondacionin “Konrad Adenauer” në edicionin e 7-të DITËT E KUJTESËS, më 25 shkurt 2022, organizon për herë të parë në qytetin e Korçës Ekspozitën me titull “KORÇA KUJTON”. Kjo ekspozitë, synon të sjelljë në vëmendje kalvarin e vuajtjeve të patriotëve, intelektualëve dhe antikonformistëve korçarë, bashkëmoshatarë dhe dikur miq të diktatorit Hoxha.
Historia jonë e ka detyrim moral të kujtojë sfumimin dhe përndjekjen e ish-liceistëve, shokëve të klasës dhe kolegëve rivalë të Hoxhës, në ato ditë të errëta ndëshkimesh dhe padrejtësish, për të mos lejuar, që hijet e së shkuarës të kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
T’i kujtojmë ato kohë të zymta, për të na kujtuar dhe rikujtuar se sa e brishtë është demokracia dhe institucionet e saj. Për të mos harruar se shtypja e reagimit qytetar, e shprehjes dhe e lirisë së mendimit është në fakt instalim i diktaturës.
Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende kujtese.
Dr.Jonila Godole
Jorida Dhëmbi
@NewsIn.Al

