Saimir Mane, tashmë dhe pronar mediash. Grupi Balfin (Balkan Finance Investment Group SHPK), po hyn dhe në tregun mediatik.

“Grupi BALFIN ka vendosur të blejë aksionet e TV Scan në fillim të këtij viti. Ashtu si edhe për investimet e tjera të grupit, pritshmëritë janë të mëdha. Televizioni do të vijojë që të mbajë të njëjtin profil, duke e parë dhe duke e trajtuar informacionin nga këndvështrimi i ekonomisë, por tashmë do të ketë më shumë mundësi për ta kryer më mirë funksionin e tij në të mirë të publikut”, tha Agim Fjolla, drejtor komunikimi i Grupit Balfin.
“Ambicia e Grupit BALFIN është ndërtimi i një medie që të trajtojë çështje ekonomike dhe të lidhura me biznesin duke ofruar informacion të plotë, profesional dhe të pa-anshëm nga Shqipëria dhe rajoni. Nga ana e Grupit BALFIN janë nënkontraktuar ekspertë të huaj, që do të bëjnë riorganizimin e televizionit për t’ju përgjigjur sa më mirë pritshmërive të një televizioni rajonal kushtuar çështjeve të ekonomisë dhe të biznesit”, shtoi ai.
Scan është themeluar në vitin 2001, sipas ekstraktit të QKB-së dhe fillimisht ishte me emrin Mediasat. Në 2009-n filloi aktivitetin si radiotelevizion ekonomik, me emrin Scan. Televizioni kishte të ardhura prej 136 milionë lekësh në vitin 2020 dhe një fitim prej 550 mijë lekësh, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në QKB.
Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës dhe fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.( Monitor.Al)
@ NewsIn.Al

