Wednesday, May 15, 2024
spot_img
HomeAktualitetiGRUAJA E BUKUR._ Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka.

GRUAJA E BUKUR._ Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka.

GRUAJA E BUKUR.

Astriti këto dy javë do i mbajë mend dhe do i kujtojë gjatë. Për lodhjen,por dhe për emocionin. Apo gëzimin i shkon më mirë. Se Armiri,çuni i tij i vetëm,i tha që të djelë që vjen do sjell në shtëpi të dashurën,ta takoni e t’u takojë.
-Irena e quajnë. Për mua është yll,shpirt,zemër. Për ju flisni kur ta shihni,-befasoi prindërit.
Elsa,e ëma,pa nga Astriti dhe i i hypi një i kuq flakë në fytyrë.
-Avash o gru se t’u ngrit tensioni e do na bësh ndonjë të pabërë,-qeshi Astriti.
E kështu ikën ditët mes punëve. Pa u pastrua me themel shtëpia,pa u blenë harxhet,pa Elsa tërholli vetë një bakllava me 100 petë,pa Astriti e poqi vetë në furrë një gjeldeti sa një gic. Fluturonin prindërit e fat që kishin ca prona dhënë me qira. Nuk iu dridhej dora për shpenzime. Po dhe Armiri kishte një biznes me shumë fitim. Mbaroi për financë para pesë vitesh dhe ngriti një studio kontabiliteti. Shkurt lum ajo vajzë që do të hynte te vila e tyre e sapo ndërtuar.
Nga dreka ra zilja e u turrën drejt derës dhe Astriti,dhe Elsa. E hapën e para u shfaq çifti. U shkonin vargjet e lirikut Ali Asllani;çift i bukur,/çift me shije,/çift o çift që s’ka të dytë,/si dy kokërrza qershie.
Zakoni e donte që puç e puç Elsa me Irenën dhe pastaj përqafim Astriti me nusen e ardhshme. Po atë çast sikur u thye një gotë kristali. Pa zhurmë se vlen aq shumë sa të dhemb kraharori. Astriti sa u afrua buzagaz,me duart hapur ta rrokte Irenën u nguros ashtu. I iku gazi,i mbetën krahët lart,syri iu kthye brenda vetes dhe i solli ca pamje nga Athina para tre vitesh,kur kjo vajzë e bukur u doli para Astritit dhe shokut të tij Gentit te hotel “Titania”.
-50 euro secili,nuk do bëheni pishman. Mos u mendoni gjatë!
Të dy qenë çakërqejf pas një darke me miq dhe e kaluan me humor.
-O gocë,më shumë tani na bën punë një shishe ujë me gaz se sa një bukuri si ti.
Ikën,u larguan,po e kthyen disa herë kokën pas. Edhe pse ia vlente të rrinin me të,edhe se qe shumë e hijshme,edhe se një rast si ky të vinte aq rrallë për të mos thënë mbase asnjëherë në jetë. E ja,tani ajo vajzë ishte e dashura e birit të tij të vetëm. Nesër do të bëhej nusja e shtëpisë. Ndërsa Elsa dhe Armiri po e shihnin me çudi ai e gjeti shpjegimin.
-M’u morën pak mendtë,do më kalojë.
-Doemos,kam të dashur yll. Ta merr mendjen,-qeshi i biri.
Më pas bisedat e zakonshme.
-Ku punon?
-Te studio jonë. Është ekonomiste,-tha i biri.
-Ku jeton?
-Te lagja sipër.
-Familja jote…
-Kam babain,nënën dhe një motër.
-Si janë?
-Babai para tre vitesh pësoi një infarkt. Bëri tre baypasse. E çova në Athinë,aty u mjekua. Fat që punoja në Greqi atëhere.
Biseda ecte shtruar mes vajzës e vjehrrës së ardhshme. Astriti lloci në mendimet e tij. Shkurt djali po na u fejoka me një prostitutë,i tha vetes. Sa të largohet vajza do ia them djalit. Apo më parë Elsës? Jo,jo se Elsa e bën tragjike,mbase i ndodh ndonjë gjë. E ka tensionin në qiell. Po kur ta marrë vesh shoku im Genti,pu pu pu ç’turp!
E kjo ushtri mendimesh rrinte në rradhë e përplasej brenda trurit të Astritit. Darka iku ashtu si një koncert ku këngëtarja pas çdo kënge rrëzohet në skenë. Nga që i ka takat e larta. Por Astriti nuk guxoi të fliste me askënd. Veç me veten që e bombardoi dhe e vrau plot herë gjatë natës.
Të nesërmen ndërsa po hanin mëngjes pyeti Armirin:
-Ke kohë me Irenën,o çun?
-U mbush viti,baba.
Më tej ngeci prapë. I erdhi para sysh kur do bëhej dasma dhe që në këngën e parë do fishkëllenin njerëzia. Do bërtisnin,prosti,prosti. O zot pse ma solle mua në shtëpi këtë fat! E iu kujtua Nesti,komshiu në katin sipër. Kishte gocën në Londër me studime,atje u martua me një zezak. Ecte kokëulur i ngrati,u mbyll në shtëpi e s’doli fare ato ditë kur dhëndëri erdhi për vizitë në Tiranë. Tani nuk u gëzohet dot dy mbesave mulate. Sa vijnë në verë ai marroset pas tyre dhe i çon kudo. Kur ikin u nxjerr të gjithëve një foto që e mban në portofol. Që larg i lexohet lumturia.
Eh,ndryshe zezak e ndryshe prostitutë,i errësohet gjykimi. Nuk i çedon mendja aspak. E ka si postbllok,nuk i jep leje të mendojë drejt e qartë.
Kaluan muaj dhe Irena erdhi disa herë për dreka e darka. Në një prej tyre ajo e hapi vetë këtë shtegun e bllokuar.
-Para tre vitesh babai pasi pësoi infarkt,nuk e mori kush përsipër ta sillte në gjendje normale. Duhej çuar jashtë sa më parë. Ndryshe…Por kushtonte dhe ne ishim ngushtë. Shumë ngushtë,mbijetonim me pensionet e prindërve. Motra qe në gjimnaz,sa e kish filluar. Unë pata mbaruar shkollën e nuk munda të nisja ndonjë punë atë ditë. U thamë ca kushërinjve për lekë borxh,por nuk ia dolëm. Më dhimbte zemra kur e shihja tim atë me sytë ngulur në tavan dhe me frymëmarrjen sikur ia pengonte dikush nga brenda gjoksit. Sikur ia lëshonte ajrin me racion. Ndaj nuk durova,i hypa autobuzit drejt në Athinë. Fat që nisa punë sa arrita.
-Ku?-pyeti Elsa.
-Në trotuar.
Heshtje. Elsa buzëqeshi,pandehu se Irena bëri shaka. Po kur pa që dhe Astriti dhe i biri ishin seriozë,u përqëndrua dhe ajo.
-Po,në trotuar. Nuk kisha rrugë tjetër. Mendoja,jam e bukur,e re. Mall i shtrenjtë dmth. E natë pas nate ia mbërrita shumës që duhej. E futa në një çantë të vogël dhe dorëzuam babain në spital. Aty ndenja dhjetë ditë. Nuk iu ndava asnjë çast tim eti. Te krevati i tij,më mirë te këmbët e tij gdhihesha.
-Po trotuari?
-Nuk shkoi më,-foli Armiri në vend të Irenës.
-S’kisha pse të shkoja. Nuk dola atje për bukën e gojës,dola për babain.
Sytë iu mbushën dhe lotët gati po lëshoheshin poshtë. Astriti deri atë çast tundte kokën,miratonte fjalët që dëgjonte. E kuptoi këtë aprovim pa sens dhe qortoi veten. Po,ajo u shit. Ore,po kush nuk shitet sot,kundërshtonte mendimin e tij. Dhe unë vetë shitem. Ja kontratat e qirasë të pronës që jap i bëj sikur fitoj dy lekë kur në fakt marr dy mijë euro çdo muaj. Prostitutë jam dhe unë pra. Madje kjo vajzë është më e ndershme. As fshihet,as gënjen.
Hodhi sytë nga Armiri dhe kuptoi që ai dinte gjithçka. E kur pa që djali ishte aq i qetë dhe e shihte me aq dashuri Irenën iu kujtua filmi “Gruaja më e bukur” me Richard Gere dhe Julia Roberts. Qe i ri atëhere kur e shijoi,po ndjeu nga filmi se gjykimi ç’bëjnë të tjerët nuk i takon askujt. Aq më keq paragjykimi. Edhe artistja në film prostitutë qe,nga nevoja sigurisht. Rasti e solli të takohet me një të pasur,me një të pashëm. Të cilit do i shërbente ca orë kundrejt pagesës. Po ja që dashuria nuk pyet për zanate,për profesione,për opinione,për zakone dhe dilema. Ajo,dashuria,prandaj si simbol ka një shigjetë që shkon drejt e në zemër. Nuk qëllon trurin,krahun,këmbën apo syrin. Ngulet aty,te gjaku që lëvrin. Biseda në dhomë po ecte me ulje e ngritje. Si vetura kur i shpohet goma e ashtu zhdrapa-zhdrapa ecën deri sa arrin te gomisti.
Astriti doli gjoja për të marrë ajër. Por qe më i lehtë tani,më i qetë. Te shkallët u ndesh me Nestin. Sa u përshëndetën Nesti po bënte adetin. Futi dorën në xhep,nxori portofolin,përfshiu një foto me ngjyra dhe i tregoi Astritit mbesat e tij:
-Shihi more,shihi mulatet e mija! Shihi sa të bukura janë!
I shkëlqenin sytë atë çast. I fliste zemra me nota të dukshme lumturie…
Astriti vrik u kthye mbrapsht.
-Harrova diçka,-i tha Nestit.
Hapi derën e shkoi drejt dhomës së ndenjes me hap të shpejtë. Ecte serbes dhe i çliruar fiks si ai nxënësi që sapo ka zgjidhur me sukses ushtrimin e vështirë të algjebrës. Në zemër i kishin ngelur stakuar pamje nga filmi “Pretty Woman” ku rolin kryesor tani e luante Irena.

Agim Xhafka_ Në Korçën tonë

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments