KreuKulturë / Art"HELMET QË MUND TË PIJMË"/ Nga Antonio Babliku

“HELMET QË MUND TË PIJMË”/ Nga Antonio Babliku

HELMET QË MUND TË PIJMË

Ti je me siguri aty jashtë, ku janë gjithë njerëzit
Por mua më pëlqen të rri brenda
Të kem mendjen rehat aty ku s’më arratiset nëpër hapësira gjigande.
Kështu të kam sakrifikuar edhe ty, edhe ne
Po si gjithë ëndërrimtarët që etin dashurinë
Kam thurur dhe unë iluzione se ndoshta përsosmëria jote
… Do të më pranojë mua.
E po më pranove ti, po më the edhe ti “të dua”
Ta dish, po më jep lejen që të të dua pafundësisht,
Me qiellin rozë të perëndimit që më pëlqen aq shumë
Me fushat ku dua të endem edhe pse hapësirat i kam frikë
Me diellin që do më kujtojë fytyrën tënde
Dhe hënën që do të jetë tatuazhi i kurrizit tënd
Dy pamjet me të cilat mund të zgjohem çdo mëngjes
Veç ndonjë rasti kur të të kthej edhe unë kurrizin
Dhe të më përshëndetë komodina.
E bëra gjithë filmin, edhe poezinë do thotë ndonjë;
Pa të njohur fare, të dashurova e madje edhe u grindëm—
—Shpresoj për gjëra të vogla, jo për mua.
Po ja që edhe këtë duhet ta dish,
E lë imagjinatën deri në jetë të tjera të më shpjerë.
Kam frikëra shumë, justifikohem:
“Kush ka shumë frikë tregon sa shumë e do diçka”
Po kaq shumë ta dua këtë botë, vallë, sa t’i druhem ta jetoj?
Çfarë i dua, pra?
Po ty, çfarë do të të dua?
Ndoshta buzëqeshjen-diell, kurrizin-hënë,
Mbase flokët ku do udhëtojnë gishtat e mi,
Ka shumë mundësi edhe trupin ku do të dua buzëve të mia t’u ndërtoj faltore
Apo sytë, vallë, që shumë romantizohen,
A mbase krahët që do të jenë kasollja larg zhurmës që kërkoj e s’gjej,
Me gjasa edhe këmbët që do na ngatërrohen.
Por e di që s’është e drejtë për ty që të të dua unë,
Që kaq shumë e dua veten time dhe e lë ta kalojë lehtë
Çdo krizë besimi dhe ekzistence
E që mendoj vetëm si do më përqafosh ti,
Jo si do të të pushtoj unë:
E ke vënë re sa shumë kam thënë “unë”,
E sa pak del ti në këtë poezi?
Mund të më japësh leje të të dua pafundësisht, por të paralajmëroj
Që për çdo buzëqeshje unë mund të mbjell edhe vuajtje.
Buzëqesh me ëndërrim kur mendoj hidhur
Si do jesh ylli im i veriut dhe unë një pemë e palëvizshme
E sa herë të më duhesh kur ngre kokën apo e ul
Do më kujtosh ku jam dhe se jam i vërtetë
Ndërkohë që unë dridhem nga frika mos humbas gjithçka
Dora jote do jetë mbajtësja ku do kapem në grykën e greminës
Dhe pulsi në kyçin tënd do më ringjallë në realitet.
Mbrëmjeve do pijmë helm në verandë
Dhe do shohim yjet që digjen pa u shkrumbuar
Në qiellin e zi si ajo që mund të shndërrohemi ne.
Pastaj mund të ikësh, ngopur nga helmi,
Të më lësh në verandë duke pyetur veten
Se kur do zbresë qielli të më mbështillet si mantel—
—Dhe a do durojnë dot yjet e pamposhtur të më kenë aq afër?
Unë s’jam për t’u dashur, por dua të të dua,
Se jam egoist, se jam kurioz, se imagjinoj
Shtëpinë-faltore ku dua të kthehem çdo ditë
Përqafimin që do më ndihë të kaloj frikën
Dhe puthjen që do ma fshijë idenë e keqësisë
Dhe ty—të imagjinoj Ty.
Që kaq lehtë mund të të zbeh shkëlqimin
Dhe të të shoh të shtiesh ti kupat me helm për të dy
Kur të dalim në verandë
Se më larg nuk shkoj dot,
Edhe po e deshe ti të shkoj.
Po… mbase, po e deshe ti,
Edhe në qiell do të gjej rrugën për të ecur
E me gjasa edhe e ndaj detin në dy anë
Dhe pasi të kryejmë mëkatet tona që do na shkrijnë mbi njëri-tjetrin
Do t’i falemi dashurisë sonë në faltore puthjesh të përkora
Dhe unë do marr frymë lirisht,
“Kaq m’u desh të mos kisha frikë—
—Vetëm të të doja Ty.”
Po a do dot pa frikë?
Them ta provoj, njëherë.
Dhe të premtoj, do heq dorë kur të të shoh të nxjerrësh gotat
Në gatishmëri për të pirë helmin,
Dhe ato buzë nuk do t’i shkatërroj
E po s’i bëra dot kryq të faltores
Do t’u kthej krahët e do të lë më të denjë të falen
Dhe helmin do vazhdoj ta gjerb i vetëm.
Them ta provoj njëherë—
—Jo helmin, as lëndimin tënd,
Por të kërkoj gjysmëhënën ku do mbyllen duart e mia
E po qe e kotë…
Me çfarë s’e humbasim kohën,
Do ta humbas edhe për të të dashuruar ty.

Antonio Babliku
2023

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit