MANJAKU…
Alqi ishte manjak,por jo ashtu siç i shkon mendja lexuesit. Qe manjak për të bërë foto. Rrinte pas fotografëve të rrugës dhe u lutej ta nxirrnin në poza siç pëlqente ai dhe në vendet ku donte ai. Në fillim ia bënë ca shkrepje para Hotel -Turizmit dhe Bankës së Shtetit. Më vonë e shporrnin se ngulte këmbë ta fotografonin edhe para gjimnazit,edhe para teatrit dhe më e lodhshmja,edhe para uzinës së preçizionit nga që kjo ishte në periferi të qytetit.
Alqi sa kishte mbaruar ushtrinë kur i hipi ky zell i madh per të dalë në resme,siç e tallnin korçarët. Ai qytet kishte plot njerëz me llagape të cuditshme që nga Kiço Rabecka,Faik Gjymi,Nesti Zëri,Llaqi Gjuha,Raqi Lopa,Pandi Këndeska,…por asnjëri nuk kishte maninë e Alqit. Të gjithë silleshin urtë dhe të matur,veç ky këmbëngulte per foto. Në fakt i ngeli “Manjaku” se ashtu sillej. Bile te Turizmi sapo shihte të huaj me aparat fotografik në dorë me vrap u dilte para dhe qeshte. Nuk guxonte t’i nxiste ta nxirrnin,por vetë qëndrimi i tij bënte që ata ta shkrepnin. Sa dëgjonte shkrakun e aparatit i hipte mërzia se nuk do mundej ta merrte pamjen e stamposur nga që turistët do iknin e askush në botë nuk do kujtohej më për të.
Alqi ishte 20 vjeç kur u bë manjak. Jetonte me nënën. Babai i kishte vdekur herët dhe nga fisi i të atit jetonte vetëm xhaxhai,Pandi,ikur në Amerikë kur Alqi nuk kishte lindur ende. Sa mbaroi ushtrinë nisi punë te fabrika e qelqit,bash në furrën e shkrirjes dhe nga që nuk kishte zanat e vunë të ngopte me rërë zjarrin e madh te gryka. Djersinte më tepër se 5 litra ujë që pinte,lodhej e raskapitej.Paguhej pak se quhej punë e pa kualifikuar. Mbase nga ky stres e kapi sëmundja e fotografimit.
Kaluan vite e Alqin nuk e ngacmonin më qytetarët. E dinin se çfarë manirash kishte. Vetëm vogëlushët e thërrisnin me zë të ulët manjak,manjak,kur u kalonte pranë. Mbeti me punë te fabrika e nuk u martua. I vdiq nëna dhe fillikat bënte rrugën punë-shtëpi-fotografi.
Kur ndërroi sistemi ai nuk u përzje me asnjë protestë apo grupim politik. U bë gati të ikte nga mali për Greqi kur u mbyll fabrika. Por ato ditë i mbërriti lajmi se vdiq xhaxhai në Amerikë. Mësoi nga ca miq të tij që kishin ikur me green card në Amerikë se xhaxhai nuk kishte krijuar familje atje dhe pasuri e katandi ça kishte duhej të interesohej nga që i takonte atij. Në fillim nuk e besoi,më pas mendoi se xhaxhai ishte i varfër,por kurioziteti e ngacmoi e shkoi tek një zyrë avokatie. Kërkoi të interesoheshin ata. Kaq,vetë iku në Selanik e nisi punë si ndihmës i Bertit,kushëririt të tij hidraulik. Shpërblehej mirë dhe jetonte ku e ku krahasuar me vendin ku u rrit. Deri sa një ditë një zile telefoni e çoroditi.
-Eja se xhaxhai ka lënë pasuri,-i thanë nga atdheu.
Udhëtoi për tërë natën dhe në mëngjes u shfaq para avokatit. Ai nuk ishte aq miqësor sa para ca muajsh.
-Hë?- pyeti Alqi.
-Na folë ti,-i tha avokati dhe nxori mbi tavolinë qindra foto të Alqit dalë në qytet para cdo institucioni,duke qeshur e duke rrezatuar lumturi.
-Kap njërën,-e shtyu.-Dhe lexoje nga pas çfarë ke shkruar!
Dora i kapi atë duke u zgërdhirë te Turizmi. Nga prapa shkruar :”I dashur xhaxha,jam mirë. Sapo kam ndërtuar hotelin e ri,ky prapa meje.Kemi shumë,shumë punë. Të fala,nipi yt,Alqi!”
-Lexo këtë që ke dalë te Banka.
-I dashur xhaxha e bleva edhe bankën e qytetit. Punët më ecin mbroth. Të përqafoj,Alqi,nipi yt!
Iu kujtuan vitet dhe vendet e fotova,siç mbante mend fjalet shkruar nga prapa.
-Pse?- e pyeti avokati.-Pse ke mashtruar njeriun tënd qindra herë në plot e plot vite?
Alqi u ul në karrike dhe nisi shpjegimin.
-Xhaxhai na dëgonte letra. Shmallej ai,por dhe ne,na fliste për jetën e tij gjerë e gjatë. Brenda në zarf fuste dhe foto dalë para vilës së tij,dalë në restorante,me makinë,në plazhe.. Asnjëherë nuk dërgoi qoftë dhe dhjetë dollarë. Ai e dinte se si jetoja unë dhe nëna,me barkun bosh e me shpirtin zgavër. Ndaj u nxeha nga ligësia e tij dhe ndërmora hakmarrjen. Dilja foto para çdo ndërtese dhe ia nisja,si shkolla ime,fabrika ime,uzina ime. Kërkoja ta çmendja,të mallkonte veten që kishte ikur në Amerikë,se ne këtu gjenim gëzim e lumturi më shumë se ai. Ndaj u bëra maniak pas fotove,nga që kisha fiksim mposhtjen e mëndjemadhësisë së tij.
Pas një qetesie avokati foli zbehtë:
-Ke kryer vetëvrasje,bir. Xhaxha Pandi ka lënë testament. Fotot dhe letrat t’i kthen ty,merri,tani je pronar i tyre. Ndërsa paratë,pas shitjes së vilës dhe dy dyqaneve,ai ia fal muzeut të qytetit se nipi im,shkruan xhaxhai ,është tejet i pasur e nuk ka nevojë per gjë.
Donte të ikte me vrap,por avokati i dha faturën e shpenzimeve. Shifra e tronditi.
-Të t’i shlyej me këste?-propozoi.
Avokati nuk foli. Në rrugë gjallëri e diell. Vrapoi drejt autobuzit të Selanikut. Ai po lëvizte,sa po nisej. I ra fort derës e nga brenda dikush bertiti:
-Hape,o shofer,hape! Po udhëtoka dhe manjaku sot me ne…
Agim Xhafka
@NewsIn.Al

