Natën në dhomëzat e grave, …
(Fragment nxjerrë nga “Libri i jastëkut”)
“Libri i jastëkut”, është shkruajtur rreth 1000 vjet më parë, prej Shei Shanagun [Sei Shōnagon] (v. 966 – 1017 pas Kr.) një prej zonjëzave të oborrit të pallatit perandorak të Japonisë së asaj kohe, për të cilën dihen fare pak të dhëna. Ajo duket se i ka takuar, rangut të mesëm të aristokracisë japoneze. Në libër, përmblidhen lloj-lloj mendimesh, vështrimesh, kundrimesh dhe gjykimesh, vetiake të poeteshës, të shkruajtura në një formë artistike sublime, fine, gjatë kohës që ajo ishte në oborrin perandorak. Ndër vargjet e shkruajtura tek, “Libri i jastëkut” janë edhe të mëposhtmet, që lidhen me erotikën e jetës së përditshme në oborrin perandorak, të cilat i kam shqipëruar dhe sjellë këtu. (Bot. Uegen: “Vargje te lashta liriko erotike”, shqipëroi, Ilia V. Ballauri, Tiranë 2010, fq.211)
———-
Natën në dhomëzat e grave, …
“…Ne që rrimë në dhomëzat e grave, në Pallatin e Perandorit, duhet të kemi parasysh se jo vetëm gjatë ditës duhet të jemi të vëmëndshme por, edhe gjatë natës, duhet të jemi më të kujdesshme akoma.
Them se ato që ndodhin gjatë natës, mua më pëlqejnë.
Kështu në mesnatë dëgjon zhurmë hapash nëpër korridor. Kohë ndër kohë bëhet heshtje dhe pastaj dëgjon se dikush, troket në një portë lehtë me një gisht. Është për të qeshur por, ka këtu edhe njëfarë ëmbëlsie, kur ti e di se, gruaja që është brenda dhe dëgjon këtë zhurmë e njeh atë menjëherë, njeh pra se kush është vizitori i saj i natës. Ka raste që kjo lloj trokitjeje, vazhdon ndërsa gruaja brenda nuk jep asnjë shënjë. Burri jashtë sheh se është e kotë dhe vendos të largohet e të shkojë, të shtrihet përsëri për gjumë. Kjo gjë nga ana tjetër trishton gruan e cila tani fillon të bëjë disa lëvizje domethënëse, si të fërkojë pjesë të mëndafshta për të krijuar një lloj zhurme të lehtë e kështu t’i lerë vizitorit të saj të mesnatës të kuptojë se ajo është atje dhe madje ndoshta është edhe e zgjuar. Më pas fillon të bëjë zhurmë me hallatkën e freskimit dhe në qoftë se nga jashtë portës nuk ka reagim, ngrihet dhe rri më këmbë pranë portës duke mbajtur frymën…” (shqp:I.V.B. ©)
Ilustrimi: Shei Shanagun, në oborrin perandorak.
@NewsIn.Al

