KreuAktualitetiJemi në globalizëm. E pranojmë gjerësisht këtë dhe ia shfrytëzojmë përparësitë që...

Jemi në globalizëm. E pranojmë gjerësisht këtë dhe ia shfrytëzojmë përparësitë që ka. Mjaftohemi me kaq…

Jemi në globalizëm.
E pranojmë gjerësisht këtë dhe ia shfrytëzojmë përparësitë që ka. Mjaftohemi me kaq.
Deri sa gjendemi në ditë si këto të fundit kur qëndrueshmëria e vjetër prishet dhe pastaj pyesim veten – po tani?

Tani që do të rritet çmimi i karburantëve, që do rritet gruri, energjia dhe gjithçka?

Tani, është mirë të ulemi me këmbë në tokë dhe të bëjmë ca llogari që duhet ti kishim bërë me kohë.

Dy epokat më të fundit shqiptare, i ndan ndryshimi i sistemeve qeverisëse politiko-ekonomike të vendit.
Ai ndryshim zëvendësoi ekonominë e izoluar për së brendshmi dhe të mbështetur në forcat tona, me ekonominë e hapur të vendosur përballë konkurrencës së natyrshme dhe të shëndetshme që vjen bashkë me hapjen.
Ai lloj ndryshimi, ndonëse ka fuqinë ta zhvendosë një vend në një dimension tjetër gjeopolitik, nuk tjetërson aspak elementët e përhershëm të sigurisë së tij. Sigurinë e kufijve, atë ekonomike, energjetike, ushqimore, fizike dhe mjedisore.

Në atë realitetin e atëhershëm jo edhe aq real, ne i kemi patur të gjitha ashtu siç i kemi patur.
Sot kemi sigurinë e kufijve, kemi sigurinë fizike dhe ushqimore. Nuk kemi ende sigurinë energjetike. Mund të diskutohet nëse e kemi atë ekonomike dhe mjedisore, sepse në të dyja rastet gjenden arsye ballafaquese.
Por ndërsa mjedisin e kemi ekskluzivisht tonin dhe mirëqënia e tij administrohet vetëm se brendëshmi, ekonomia jonë ia ka falur globalizmit një numër aktivitetesh jo pak të rëndësishme në çdo kuptim.

Ne dikur kemi prodhuar drithëra, fruta, perime, prodhime industriale. Kemi nxjerrë naftë e gaz dhe e kemi përpunuar disi. Kemi nxjerrë hekur, nikel, bakër, qymyr e kështu me radhë. Praktikisht dhe për të mos e zgjatur, ky vend i ka të gjitha burimet dhe pasuritë që i nevojiten.
Natyrisht që nuk mund të pretendohet që të rihapim të gjitha minierat dhe të mbjellim drithëra edhe në majë të maleve.
Në fakt ndoshta ndonjë nga këto mirë do ishte ta bënim, por sidoqoftë ekonomia është dhe mbetet çështje kostosh dhe rendimenti.

Puna është se ka shumë që domosdoshmërisht duhen bërë. Duhet të rinumërojmë dhe kontabilizojmë resurset tona. T’iu bëjmë analizë të thellë ekonomike për të vlerësuar potencialin për sukses përkundrejt tregut.
Mbi atë bazë duhet të krijojmë politika mbështetëse dhe ku mundet, edhe mbrojtëse për fusha të veçanta të aktivitetit ekonomik.
Ajo që kemi parë e provuar gjithë këto vite, duhet të mjaftojë për të na treguar që thjesht dhe vetëm liria e tregut nuk mjafton për të garantuar një ekonomi të mirë. Të paktën tek ne dhe deri më sot.

Nevojitet përfshirja e qeverisjes të çdo niveli.
Na duhen politika ekonomike jo ekonomi politike. Politika të mbështetura nga ekspertizë e mirë, afatshkurtra dhe afatmesme në zbatim dhe afatgjata në shënjestër. Të akorduara edhe politikisht, në mënyrë të tillë që të mos ndryshohen sa herë ndryshohen qeveritë.

Duhet të rishohim demografinë e vendit, administrimin territorial të tij dhe të decentralizojmë sa më shpejt dhe pa na u dridhur dora, në mënyrë që të mos e thajmë vendin nga mungesa e kapaciteteve dhe braktisja e resurseve.
Duhet të stimulojmë, orientojmë e ngrejmë kapacitete dhe njëkohësisht duhet të mirëadministrojmë proceset pa i bërë hile vetes.

Dhe e gjitha kjo jo thjesht për hir të sigurisë, por me këtë rast dhe duke u nxitur prej saj, për hir të ngritjes dhe forcimit të ekonomisë tonë kombëtare e cila vërtet që i ka mundësitë të shtrihet edhe në fusha që dikur i ka pasur pjesë të rëndësishme të saj por që për shkak të modës që ne ndoqëm pas nëntëdhjetës, dolën nga skena.

Spontanitetin e deritanishëm, mund dhe duhet ta zëvendësojmë me një proces të gjerë vlerësimi, planifikimi dhe zhvillimi ku të përfshihen institucione shtetërore, ndërkombëtare, private.
Gjetjet dhe rekomandimet e tij, duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për programet tona politike, ekonominë tonë të tregut, investimet private, ndërmarrjet shtetërore dhe investimet publike.
Në mënyrë që ta çojnë të gjithë ujin në mullirin tonë.

Natyrisht pa harruar që jemi në globalizëm, por duke mos u mjaftuar me këtë.

Ardit Konomi

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit