Saturday, July 4, 2026
spot_img
HomeAktualitetiKOD ETIKE - KOD KOMUNIKIMI…KOD KORÇE!/ Ilir Jano

KOD ETIKE – KOD KOMUNIKIMI…KOD KORÇE!/ Ilir Jano

KOD ETIKE – KOD KOMUNIKIMI…KOD KORÇE!

Si komunikohet në Korçë? Thjesht, në cdo rrethanë, në çdo kohë e me çdo mënyrë, Korça komunikon vetëm mrekullisht.
Ta filloj nga ajo që edhe në heshtje Korça thotë shumë?
Padiskutim, natyra u tregua shumë zemërgjerë me të kur i caktoi vendin në gjithësi dhe i krijoi asaj mundësinë të komunikojë në çdo rast, me të tilla mënyra, që vetëm ajo i di.
Nëse ke ftohtë e ndihesh i akulluar, ajo të flet më gjuhën e mesdheut, duke të ngrohur në trup e shpirt. Të ndodh të të kapë euforia e të fluturosh në ajër pa menduar për pasojat? Do të jetë prapë Korça, që do të të dërgojë erërat e kontinentit për të të tërhequr poshtë e për të të zbritur me këmbë në tokë. Të ndodh të jesh i lodhur rrugëve të vështira, kthesave të papritura, uljeve e ngritjeve dërrmuese? Afrohu në Korçë! Askush si ajo nuk di të ta japë qetësinë që do ta kërkoje fort pas të tillash përpjekje. Ndoshta do të mendosh se, pas një qetësie të gjatë, vjen e gjen vend edhe mërzia? Edhe kjo mund të jetë e vërtetë. Atëhere, Korça, përsëri Korça do të ta japë zgjidhjen. Do të të tregojë rrugën e duhur që ti të nisësh një rrugëtim të ri duke përjetuar, pse jo, çmenduri të reja.

Korça të tregon se duhet të zgjohesh çdo mëngjes duke e kërkuar diellin, duke e ndjekur atë, duke arritur lartësitë. Të tregon se të arrish lart, duhet të jetë qëllimi i çdo dite, se rruga për atje është e vështirë, por jo e pamundur. Korça di të të clodhë, të të lërë të mbushesh me ajër kur e ke të domosdoshme. Ajo di të ta ngrohë shpirtin për një stinë të tërë të akullt e të ta freskojë mendjen e nxehur për një stinë tjetër.

Epo kushdo që është rritur me Korçën, natyrisht që ka marrë shumë nga ky komunikim i magjishëm i saj. E në mos ka arritur të flasë kaq magjishëm, me këngë po, e ka bërë. Askush tjetër nuk i ka kënduar aq bukur dashurisë , poshtë një dritareje, me një kitarë në dorë, veçse korçari. Askush tjetër nuk ka treguar gjithë drithërimën e zemrës, aq sa të lëkundë edhe perdet, si korçarja.
Kush tjetër, më bukur, më paqshëm, me gjithë kujdesin e mundshëm që të mos fyhet tjetri, ka trokitur në telat e kitarës për të vënë në lojë veset e kujtdo dhe ka treguar se beson, po beson vërtet se gjërat do të shkojnë padyshim më mirë, veçse ai, korçari?
Po dashurinë për rrugicat, bulevardin, kodrat, kush ka ditut t’ ua tregojë të gjithëve ashtu si ai, korçari?
E bukur është Korça e të gjithë që janë rritur me Korçën e duan shumë të bukurën. Bëhen të gjithë bashkë, ata që janë rritur me Korçën dhe përpiqen për të bukurën në qytetin e tyre, në shtëpinë e tyre, në veten e tyre. Ndodh të mos kuptohen ndonjëherë me njëri- tjetrin, ndodh edhe të grinden (gjithmonë për të bukurën), por vjen çasti dhe të gjithë bien në një mendje: Korça, qyteti i tyre, është i bukur, po jo i bukur i zakonshëm, por më i bukuri i të gjithëve.
Është e pastër Korça, sepse të gjithë, përpiqen ta mbajnë të pastër, punojnë që ta mbajnë pastër. Pavarësisht kostove. E tepruar, mund të thotë ndokush. Ndoshta po, por ia vlen që ata që do, t’ i prezantosh në sytë e të tjerëve të dlirë, si natyra i krijoi.
Tolerante është Korça ( dhe korçarët të tillë janë) dhe nuk i ka vënë në garë lartësitë e këmbanave të kishës e minareve të xhamisë. Ato bashkëjetojnë atje, të dyja, duke përshëndetur njëra- tjetrën, duke uruar njëra- tjetrën, duke dëgjuar njëra- tjetrën, paqësisht, deri në Zot.

Sa është gjithëpërfshirëse Korça? Ndoshta mund të diskutohet pak më gjatë, duhet ndalur pak më tepër, sepse jo gjithmonë…, jo kurdoherë janë dhënë zgjidhjet më optimale. Ndoshta dikush mund të ketë ngelur mbërthyer brenda mureve të lartë të traditës (i detyruar nga të tjerë apo ndikuar prej vetvetes), tërhequr prej botës, por edhe prej vetes (sepse, kurrë dhe asnjëherë nuk ka botë më të madhe, më të njohur, e më të sigurt se ajo e vetes), por një gjë është e sigurt: Përpjekjet e të gjithëve për t’ i nxjerrë prej këtij “ngujimi apo autongujimi”. Një kalim, ndryshim, transformim i natyrshëm i asaj që dikur ka qenë apo është trajtuar si “e tyrja”, që ata, të tjerë, të gjithë ta ndiejnë si “të tyren” .

Është “e zonja” Korça, është! Është e aftë të bëjë vend për të aftin dhe t’ i gjejë vend e t’ i kushtojë vëmendje atij që ka nevojë më shumë. Prej andej fillon çdo përpjekje për të dhënë më tepër, për të falur e mësuar “ndryshe”. Dihet! Asnjë përpjekje e këtij lloji nuk ka përfunduar me dështim.
Është e heshtur Korça, nuk bën zë. Kur kalon nëpër Korçë, ndoshta dhe nuk i dëgjon përshëndetjet rrugëve të saj, por po u përpoqe ta shohësh tjetrin në sy, me siguri që do kesh kapur lëvizjen e kokës së dikujt, si dëshmi e dërgimit me përulësi e respektit të vet ndaj teje. Është e heshtur dhe e kursyer në fjalë. I është dashur të kujdeset më shumë se të flasë, të punojë më shumë se të bërtasë, të mos ngrejë, por të lëvizë dy gishtat mbi njëri- tjetrin për të treguar se çdo e mirë materiale vjen me punë. Me punë dhe mençuri, sepse mbi çdo gjë, Korça ime është e mençur. Mësimet e para të diturisë prej saj kanë filluar. ABC- ja e përparimit te djepi i saj përkundet.
E pra, gjithçka e ka një shpjegim:
Korça nuk ka zë, ka shpirt.
Korça nuk ka fjalë, ka punë.
Korça nuk fle, ajo punon.
Korça nuk është vetëm e jona, vrapon drejt Europës.
Korça nuk është e së sotmes, është e së ardhmes…(&j&)

 

Ilir Jano – Korçë

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments