KUR MËSOVA NOT.
Isha 7 vjeç kur Korça u bë me pishinë. Nga që e kisha shtëpinë pranë i shihja punimet çdo ditë. Endërroja sikur bëhesha notar dhe i fitoja të gjitha garat. Ia tregoja gjyshes e ajo më qesëndiste:
-Po ti s’di not mo bir,si do bëhesh kampion,aman?!
Në fakt më kishte çuar babai një herë në Pogradec,u llapashita atje,por kaq.
Kur pishina u inagurua ishte ngrohtë dhe ditë e dielë me diell. Hyrja qe falas. Shkova që në tetë. Pak fresk ndaj hoqa veç tutat. U ula në një stol,gjoksin ia drejtova diellit dhe kur e kujtoj sot besoj se ngjaja komik. Se isha në brekë (ku dinja unë atëhere rroba banje),në kanatiere dhe me çorape leshi. Ndenja ashtu deri sa u mbush pishina me njerëz e nga ora dhjetë,kur dielli u nxeh,shkova të provoja ujin nga ana e trampolinës. Thellësia atje qe 4 metër,mua më mbulonte tre herë. Veç sa do shihja ngrohtësinë e ujit se për t’u njomur do shkoja nga ana tjetër që ishte 1,4 metra,atje do tundja veç këmbët,duart do i mbaja fort te hekurat e shkallës.
Kur gjendesha poshtë trampolinës e po përkulesha të prekja pakëz ujin me dorë dikush nga prapa më shtyu dhe unë bëlldum rashë te uji i ftohtë brisk,tek pjesa më e thellë e pishinës. Ndjeva dridhje sapo preka ujin. Frika atë çast më mbértheu për gryke. Ankthi po më ngatërronte frymëmarrjen. Po zhytesha e zhytesha dhe gëlltisja ujë papushim. M’u kujtua gjyshja që më tha,kujdes bir,mos mbytesh. Nëna e babai sikur erdhën vrik aty poshtë e po më thoshin,jepi o trim,ngjitu lart,mos u tremb! Pashë vëllain para fytyrës që tallej e atëhere nisa të reagoj. Lart dukej dielli,u kapa fort pas rrezeve të tij e duke bërë lëvizje të dëshpëruara me duar e me këmbë arrita ta nxjerr kokën mbi ujë. Për ca sekonda se pastaj pishina më përpiu poshtë. Atëhere i shpalla luftë dhe nisa betejën. Ajo më merrte,unë i ikja. Në daljen e tretë pashë se për fat isha pranë shkallëve. Afér,as dy metër larg. Ndaj qysh në zhytje nisa ngjitjen pjertazi,me synim shkallët. Dhe pas sforcimit të shtatë u kapa te hekuri. Sikur përqafova babain. Doja të qaja,por kudo rreth meje qeshnin. Askush nuk e kuptoi që po mbytesha. Pandehnin se luaja kur dilja e fundosesha në atë thellësirën e zezë. Më erdhi çehrja më në fund. Pas tre minutash mora guxim të marri. Hidhu,i thashë vetes dhe u krodha nga shkallët në ujë,por ama një metër,jo më larg. Pastaj me duar dhe këmbë,stil noti rrëmujë,ia dola. Erdha sërish te shkallët. U hodha prapë,e prapë,e prapë. Deri sa u lodha e buza mu nxi e po më dridhej nga e ftohta.Dola hijerëndë si një notar i vértetë dhe pashë që një çorape më mungonte,ishte arratisur. Hoqa kanatieren dhe e shtrydha. Brekët i mbajta ashtu qull. Vesha tutat dhe vrap në shtëpi. Fat që banoja aty pranë. Nuk arritën të më pyesin se kuptohej nga tutat pas,bythët qull. Babai ngriti dorën,por unë i thashë plot gaz:
-O ba,mësova notin. Nuk gënjej,ja më provo!
Heshtën të gjithë. Gjyshja u kujtua:
-Ndërroheni shpejt se do e çoni në spital!
Ajo ditë qe e dielë,ishte qershor e kaq e kaq vite para,por e quaj ditë me shenjë. Se i mësova notin vetes. Vértet nuk fitova medalje,por fitova siguri. Shumë siguri. Që më ka shoqëruar qysh atëhere deri tani…


#NewsIn. Al

