Nga Emili Bibolli
Një Don Kishot përsëri
Don Kishoti i Mançës është një personazh i letërsisë së Servantesit, që ëndërronte të bëhej kalorës. Një personazh që jetonte përtej realitetit. Beteja me mullinj ere, përleshje imagjinare me përbindësha, bëma dhe lajthitje pafund të cilat i ktheheshin mbrapsh të shumëfishuara si haraç, derisa përfundoi i dergjur në shtrat, i rrënuar shpirtërisht, moralisht dhe fizikisht. Letërsia shqiptare nuk besoj se ka ndonjë personazh të tillë por politika shqiptare duket se po.
Z. Berisha provoi të hynte në histori si figurë demokracie e po tenton të dalë prej saj si një Don Kishot, pra si një personazh, që shprehet se do shpëtojë demokracinë, do ringrejë partinë që bashkëthemeloi pavarësisht se themelet e saj i shkatërroi vetë më së pari. Punoi vetë që në ato themele, të vendoste që këtu e prej 30 vitesh ato modele dhe prerje që vetëm e kanë shtrydhur e ndrydhur këtë vend, e sot dalin të veshur me petkun e shpëtimtarit.
Ringritja e PD që z.Berisha e përmend çdo ditë, momentalisht nuk është asgjë tjetër veçse “ose unë brenda ose e djeg gjithë shtëpinë”. Takimi i tij në hotel Rogner kishte një pjesëmarrje të lartë demokratësh, fytyra të qeshura, fytyra optimiste, fytyra të lodhura të etura për ‘ndryshim’, fytyra të cilat tani po fillojnë të furnizohen me shpresë nga z.Berisha. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, deri kur babai filloi të denigronte birin e tij.
Çfarë po bën Z.Berisha?
Biri i tij e asgjësoi politikisht, e tani babai po përpiqet të marrë hakun moralisht e politikisht bashkë.
Babai i kërkoi falje PD që solli birin e tij në krye, por nuk i kërkoi falje PD për shkatërrimin që i ka bërë asaj në vite. Zanafilla e këtij shkatërrimi daton shumë më herët se drejtimin e saj ta merrte z.Basha. Komunistët me rënien e diktaturës thjesht ndërruan kostumet, veshën atë të demokratit por asgjë nuk ndryshoi. Diktatura nuk mori fund, asaj thjesht i ranë disa tulla, dhe emri i saj u zvendësua menjëherë me fjalën demokraci.
Të përndjekurit u lanë në harresë, torturuesit e pushkatuesit e diktaturës shkuan kudo por kurrë para drejtësisë, u asgjësuan të aftët dhe u zvëndësuan me të paaftë, politikanët dhe të preferuarit e Z.Berisha u shpërblyen me poste të larta jo duke u bazuar tek aftësia dhe kontributet e tyre por tek shërbimi si ushtarë ndaj më të madhit.
Ndërkohë, u shkatërrua pasuria e përbashkët e shqiptarëve, nuk u zgjidh kurrë katrahura me pronat, ndodhi ‘97a, nuk u zbardh kurrë 21 Janari, as çështja e Gërdecit, asnjë reflektim nuk ka pasur dhe asnjë falje nuk është kërkuar deri më sot.
Tani babai vetëm poshtëron birin e tij sepse ky i fundit e shtyu nga froni. U kthyen përsëri në vëmendje lapsuset aritmetike.
Tifozët e të dy ekipeve thërrasin ne emër të unitetit dhe dënojnë përçarjen por nga ana tjetër mezi presin ta shohin tjetrin poshtë. Nuk mund të ketë ringritje nëpërmjet poshtërimit, nuk mund të ketë ringritje me trarë të kalbur, nuk mund të ketë ringritje me tallje dhe kërcënime, nuk mund të ketë ringritje duke u sjellë me dy standarde saherë që rrezikohen karriket.
Ringritja fillon me kuptimin e gabimeve e duke kërkuar falje, fillimisht për përdhosjen e demokracisë e të individit, për dëmet e shkaktuara vendit, e më pas për të tjerat.
#Newsin.AL

