KreuAktualitetiLeonard Olli- A duhej që presidentja Osmani, të përmendte faktin që dy...

Leonard Olli- A duhej që presidentja Osmani, të përmendte faktin që dy vendet duhet të përgatisnin një traktat për mbrojtjen reciproke në rast të ndonjë sulmi armik?!

Sporti më popullor në Shqipëri është t’ i turremi kujt të mundemi sapo merr një post publik.

Dhe ‘aktakuza’ vjen gjithmonë sipas preferencave politike dhe jo si opinion personal. Në mjaft raste e kuptueshme dhe normale se si ndërtohen punët në Shqipëri. E njëjta gjë po ndodh edhe me presidentin e sapo zgjedhur. Vizita e parë zyrtare, sipas traditës shumë të gjetur, në Kosovë. Kritika, ku me të drejtë, ku me pa të drejtë. Edhe kjo normale. Në kuadër të kësaj turrje, doja të cekja edhe unë një moment të vizitës, e pikërisht atë të konferencës së përbashkët të dy Presidentëve. Nuk po u besoja veshëve kur znj. Osmani përmendi faktin që dy vendet duhet të përgatisnin një traktat për mbrojtjen reciproke në rast të ndonjë sulmi armik. Madje, insistoi se është një propozim i kahershëm i saj. Nga ana tjetër z. Begaj u shpreh, më vonë, se kjo punë duhet menduar me kujdes. Si persona të zakonshëm, do ta konsideroja këtë trajtim si një dëshirë e mirë patriotike etj., etj…. Por, ata janë Presidentë jo njerëz të zakonshëm. Mirë znj. Osmani se mund të harrojë se Shqipëria është vend anëtar i NATO, po z. Begaj e di shumë mirë jo si President, por të paktën si ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm i FASh…. Nga ana tjetër Republika e Kosovës ka ende forca paqeruajtëse të BE-së që janë përgjegjëse edhe për integritetin territorial të Kosovës….. Lapsus e gafë nuk di të them, por qasje shumë larg njohjes së posteve që kanë dhe rregullatorëve të tjerë, pa dyshim. Në vend të dëgjonim ndonjë propozim konkret për bashkëpunim më të thellë e të konsoliduar në fushën e emergjencave civile, që Kosova na e ka dhënë me shumë bujari e profesionalizëm maksimal, në stërvitje për kualifikim të mëtejshëm, për rol më aktiv që Shqipëria mund e duhet të luajë për përfshirjen e Republikës së Kosovës në NATO, dëgjojmë propozime të tilla që nuk janë çështje dëshire apo patriotizmash të çartur, por çështje protokoĺlesh organizmash politikë e ushtarakë ku Shqipëria aderon tashmë dhe Kosova aspiron. Nuk do doja të vijojë me përshkrime apo etiketime të tjera, por me shpirt uroj të bëjnë kujdes në ato që deklarojnë e të dëgjojnë më shumë ekspertët që kanë për këshilltarë se siç thotë dhe sentenca e moçme: Mirë nuk dije, po pse nuk pyete…. Se ju kemi edhe të parët e shteteve tona….

Leonard Olli

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit